“Nuk vij dot, nuk jam mirë”, miku i afërt i Gerti Bogdanit ndan mesazhin e fundit me ish-deputetin: Pak minuta më pas, nuk po e besoja lajmin e hidhur
Miku i afërt i Gerti Bogdanit, Albert Gjoka, i ka shkruar një letër publike ish-deputetit ditën e djeshme, pasi mësoi lajmin se ish-deputeti ka humbur jetën, si pasojë e një arresti kardiak.
I ftuar në “Shqipëria LIVE”, Gjoka e përshkroi Gertin si një njeri që ka bërë shumë për politikën shqiptare, ndërsa tregoi mesazhin e fundit që ata kanë shkëmbyer bashkë. Ai e ka pyetur nëse e kishte të mundur të takoheshin për të biseduar rreth një libri, por Gerti i kishte thënë që nuk mund të vinte dot sepse ‘nuk ndihej mirë’.
“Më ka bërë përshtypje profili i pazakontë i politikanit. Kam të njëjtën përkatësi, brenga, që Shqipëria të bëhet një vend më i mirë. Nuk e kam vënë në dyshim përpjekjen e Gerit në politikë. I diplomuar me rezultate shumë të mira, ardhja e tij në Shqipëri e kam konsideruar si një sfidë të bukur që duhet ta marrin parasysh shumë shqiptarë”, tha Gjoka në një lidhje direkte për “Shqipëria Live”.
Gazetari i cilëson ish-deputetin e PD si “i pa të dytë në politikë”, sepse siç thotë ai donte ta bëntë politikën më të moralshme dhe më etike, dhe se ka bërë përpjekje për ta arritur.
“Ishte i pa të dytë në politikë, sepse donte ta bënte me të moralshme dhe më etike. Më ka lidhur ëndrra e një brezi të përbashkët, për ta bërë këtë vend më të mirë. Ka bërë përpjekje fantastike. Politika në Shqipëri është shumë e ashpër për Gertin, por donte t’i jepte vlera dhe kontribute. Mund të ishte një lider i mrekullueshëm”, u shpreh ai.
Letra e Albert Gjokës për Gert Bogdanin
“I dashur Gert!
E kishim lënë sot në orën 11.00 të takoheshim bashkërisht, por më dërgove një mesazh në prag të orarit se “e kishe të pamundur” dhe doje që të takoheshim një ditë tjetër. Të mirëkuptova si mik prej më shumë se 20 vitesh, por nuk po u besoja syve se vetëm pak minuta më pas, pashë në ekran lajmin e hidhur të ikjes tënde… Më shkruaje në fund të mesazhit se “nuk jam mirë” dhe këto fjalë i kam si gozhdë në mendjen time edhe tani.
Edhe sot e kishim lënë për të biseduar rreth librit të mikut tënd Rolf Moëatt – Larssen, “Midis CIA -s dhe Besimit” dhe shumë çështjeve të tjera që na bashkonin në bisedat që zgjasnin shumë. Ti ke qenë prej shumë vitesh në politikë, por nuk hoqe dorë kurrë nga përpjekja për ta bërë politikën më të moralshme, – më etike dhe më të mirë për njerëzit dhe për vendin. As për miqtë.
Të gjithë jemi vdekatarë, por soji i shumtë i politikanëve tanë janë matrapazë shpirtrash; e ti nuk ishe i tillë. Studiove jashtë, por u ktheve këtu dhe nuk e braktise vendin për asnjë çast, përkundrazi, – e provove veten pa u dorëzuar për asnjë çast: Ti hyre në politikë me shpresa dhe energji për të bërë ca gjëra më mirë se shumë të tjerë dhe nuk hoqe dorë deri në dekikën e fundit. Si pakkush u përpoqe ta bëje politikën dhe besimin bashkë, duke i dhënë vlerë të parës edhe përmes shembullit tënd. Për këtë arsye, e mbështete pa kusht edhe librin “Midis CIA-s dhe besimit”.
Sot ike beftë, duke na lënë të shokuar të gjithë ne, miqtë e tu. Ike, teksa ne nuk kemi fjalë për të ngushëlluar as mikeshën tonë dhe bashkëshorten tënde, Edlira dhe as dy engjëjt e tu. Ike me pengun se nuk u takuam sot dhe as do të takohemi më fizikisht, por, na ke lënë shenjën e spikatur të mikut të fisëm, prindit shembullor, politikanit ndryshe dhe njeriut që i do fort njerëzit, qytetin dhe vendin e vet. Besimi jot në Zot dhe mirësia jote të dhëntë jetën e pasosur në udhëtimin e përjetshëm që sapo ke nisur! Shën Maria të pastë në prehër përjetësisht! Besimi dhe shembulli jot mos u harrofshin kurrë, mik i dashur!
Unë dhe Dori Gjoka jemi pranë teje me zemër dhe shpirt, e dashur Edlira Çepani në këto momente të vështira”, shkruan ai.
AlbaniaWeb.net