FORMACIONI/ Të gjithë gati, nis të skicohet 11-shja e Partizanit për derbin
Partizani ka nisur përgatitjet për derbin e së shtunës kundër Tiranës, shumë e rëndësishme për ecurinë, por më së shumti për tifozët dhe prestigjin. Të kuqtë po përpiqen të hedhin pas barazimin zhgënjyes kundër Laçit, ku nuk arritën të dilnin në lojën e tyre dhe shfaqën probleme. Trajneri Veselinoviç, me përjashtim të Osmanllarit, i cili po rikuperon një dëmtim të vogël, i ka gjithë lojtarët në dispozicion.
Kjo është një ndihmë mjaft e madhe për trajnerin, i cili ka shansin të punojë me gjithë ekipin dhe të provojë të bëjë edhe ndonjë lëvizje në formacion.
Gjithsesi, të paktën në këto ndeshje të para, 54-vjeçari nuk ka preferuar të eksperimentojë, por është përqendruar te një numër prej afro 14 lojtarësh. Megjithëse ende nuk është përcaktuar asgjë, formacioni nuk pritet të ketë ndryshime të rrënjësishme, nisur edhe nga emrat që janë në stol. Dilema e vetme duket se është në majën e sulmit.