Mon, Nov 25, 2024

Zbulohen parcela me drogë në Krujë, Lezhë dhe Shkodër, asgjësohen 6262 rrënjë kanabisi

  • PublishedMay 31, 2023

Vijojnë kontrollet masive të territorit, nga toka dhe ajri, si dhe megaoperacionet policore kundër tentativave për të kultivuar kanabis.

Burime zyrtare bënë me dije se në Krujë, Lezhë dhe Shkodër janë zhvilluar 3 megaoperacione, si rezultat i kontrolleve dhe inteligjencës policore, ndërsa janë asgjësuar 6262 fidanë dhe bimë kanabisi.

NJOFTIMI I POLICISE
Strukturat hetimore të Policisë vijojnë veprimet e thelluara për përcaktimin e autorësisë së këtyre rasteve.

✅Në Krujë, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 9-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u gjetën 875 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, konkretisht: 580 fidanë në fshatin Shkretë dhe 295 fidanë në malin e Brretit.

✅Në qarkun Lezhë, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 8-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u gjetën 4557 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, konkretisht: 1700 bimë në fshatin Gernac, Milot; 1335 bimë në fshatin Selitë, Milot; 1000 bimë në fshatin Kallmet, Lezhë; 289 bimë në fshatin Lester, Milot dhe 233 bimë në malin e Shëngjinit.

✅Në qarkun Shkodër, gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 4-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, në fshatin Sumë, njësia administrative Pult, u gjetën 830 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Fidanët dhe bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Megaoperacionet policore antikanabis “Territor i pastër”, “Imazhi” dhe “Alpe të pastra”, vijojnë. Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse pranë gjykatave në Durrës, Lezhë dhe Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Policia e Shtetit apelon vendosmërisht për qytetarët që të mos përfshihen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të denoncojnë çdo rast kur mund të kenë indicie për të.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.