“Sa shumë lapsuse te koncesioni i sterilizimit”/ Vokshi: Kush i ka shifrat e sakta në studimin tuaj të fizibilitetit! Rrjepaj: Mund të kenë lëvizur shifrat për të balancuar të gjithë elementët
Vokshi: Në studimin tuaj të fizibilitetit, në njërën tabelë e keni 1.587 miliardë, ndërsa në tjetrën që është pjesë e të njëjtit dokument të bashkëngjitur, e keni 388 milionë. Pra, është ulur brenda për brenda. Edhe kjo është lapsus. Mund t’jua jap të gjitha sepse keni disa komponentë që janë ndryshuar. Ka shumë ndryshime nga memo juaj te tabelat financiare dhe studimi që keni bashkangjitur. Ose shifrat tuaja, në memon tuaj janë saktë ose drafti i studimit që i ka shkuar Ministrisë së Financave është e saktë.
Në tabelën e investimeve, në memo nuk janë të njëjtat zëra me ata që janë bashkangjitur. Për shembull, keni investime në automjete, te njëra tabelë e keni 40 milionë, te tjetra nuk e keni fare. Fitimin neto për kompaninë e keni rritur, 2-3 herë. Po ashtu, ka dhe një lapsus te faqja e fundit e dokumenteve të tenderit, ju keni vënë aty investim për instrumentet kirurgjikalë, që e keni vënë 7.1 miliardë, ndërkohë që te dokumentet e keni 1.1 miliardë. Domethënë, ka aq shumë gabime, aq shumë ndryshime, unë nuk e di kush e ka dhënë dorën e fundit. Por, është krejt joprofesionale për një koncesion, që deri më tani janë dhënë rreth 100 milionë euro dhe në vitet që kanë mbetur, nuk dihet sa do të shkojë. Ju jeni drejtues i komisionit, përgjegjësia në njëfarë mënyrë është juaja për hartimin e dokumenteve përfundimtarë, sepse ato janë zyrtarët. Me ato bëhet oferta, me to aplikojnë operatorët ekonomikë…
Rrjepaj: Në parim, mund t’ju them që mënyra e punës ka qenë që herë pas here, na duhet të punonim me disa referenca dhe t’i përshtasnim me exel për të arritur edhe një vlerë të pranueshme. Në këtë kontekst, mund të kenë lëvizur shifrat mes elementëve për të balancuar të gjithë elementët e projektit dhe për të bërë të mundur… të mos zbrisnim në një vlerë ku nuk do të kishte interes tregu për t’u afruar për këtë procedurë. Shifra që ka rëndësi në fund është shifra që ne kemi publikuar në dokumentin zyrtar të tenderit.
AlbaniaWeb.net