“Shyqyr që mbaroi kjo hipokrizia e statuseve me lot”, Murrizi: Njerëzit sa janë gjallë nuk ju lëmë gjë pa thënë, pa sharë, por kur vdesin…
Shyqyr që mbaroi kjo hipokrizia e statuseve në Facebook me lot e qurra e plot fjalë të mira për njerëz që largohen nga kjo botë, që sa janë gjallë nuk ju lëmë gjë pa thënë pa sharë e pa sajuar për cilindo, vetëm e vetëm se e shohim si rival apo konkurrent që mund të na zërë karrigen.
Më habit shumë kjo sjellje e pështirë prej kameleoni e një “dashurie” pas vdekjes për çdo person publik, vetëm e vetëm për t’u dukur si “human” e “ xhentil” kur në fakt në shpirt je shejtan e katil.
Deri te ngushëllimi i familjes dhe të afërmve apo miqve është njerëzore dhe sevap nëse ke mundësi t’i hedhesh një dorë dhe kujdo të ndjeri që ke njohur sa ishte gjallë.
Por kur shoh “romane” me fjalë prekëse e mburrje aq të shumta sa do habitej edhe vetë i ndjeri nga njerëz që nuk kanë asnjë njohje, asnjë lidhje apo asnjë lloj kontakti me çdo të ndjerë që ikën nga kjo botë, vetëm për të treguar se është në pjacë, me vjen sinqerisht pështirë.
Në këtë botë të gjithë jemi kalimtare dhe emri rron më shumë se sa kufoma qoftë për mirë e qoftë për keq.
Secili nga ne e ka në fatin e tij të lërë emër të mirë ose jo në këtë jetë kalimtare, dhe askush tjetër me çfarëdo lloj postimi real apo hipokrit nuk mund t’ia zmadhojë apo zvogëlojë emrin askujt të ndjeri që ikën nga kjo botë.
Kush mendon se “zmadhon” emrin e tij me postime servile, hipokrite apo elozhe e sharje ose fyerje ndaj kujtdo që largohet nga kjo botë, e ka të kotë, sepse emrin e mirë apo të keq në këtë botë kalimtare cilido nga ne e krijon gjatë jetës së tij me sjelljen, shpirtin dhe zemrën me të cilën prezantohet gjatë jetës në këtë shoqëri ku jetojmë.
Modeli që të shajmë, të urrejmë, të xhelozojmë e të kemi inat sa je gjallë, e pastaj nuk lëmë gjë pa shkruar me mburrje, elozhe e lavdërime kur vdes, nuk besoj kurrë që është model i njerëzve me karakter e dinjitet, por një hipokrizi e pështirë.
Respekt për cilindo që mirëkupton këto fjalë të mija dhe shumë faleminderit për këdo që nuk është dakord me mua.
AlbaniaWeb.net