Sun, Nov 24, 2024

Qeveria shpall mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike

  • PublishedMay 31, 2023
Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi të mërkurën vendimin e qeverisë për mbylljen e Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe kalimin e saj nën varësinë e Akademisë së Shkencave, duke hedhur një dyzinë akuzash për paligjshmëri.

“Ne sot me vendim të qeverisë po e riorganizojmë këtë Akademi duke i vendosur institutet e saj si institucione autonome pranë Akademisë së Shkencave”, u shpreh Kushi pas mbledhjes së qeverisë.

Ajo e referoi vendimin në një kontroll të ministrisë në janar të këtij viti, që sipas saj, kishte konstatuar parregullsi dhe shkelje të rënda ligjore në organizimin e strukturës dhe nga ana e funksionimit administrativ dhe financiar.

“Edhe pse u mbështet nga ministria, ajo nuk arriti asnjëherë të riorganizohej për të qenë në respekt të ligjit”- tha Kushi.

Sipas ministres shkeljet thelbësore kanë të bëjnë me mungesën e një fakulteti të ASA-s. “Nuk ka mësimdhënie në njësitë përbërëse të saj, është e paakredituar në programet e studimit”- tha ajo duke shtuar se lëshimi i diplomave pa akreditim është shkelje e rëndë ligjore.

Por, nga ana tjetër ajo pretendoi se ASA nuk regjistron asnjë student prej 8 vitesh dhe kjo sipas saj e bën të pamundur ekzistencën si institucion i arsimit të lartë.

Kushi pretendoi se me shkrirjen e ASA-s si pjesë të Akademisë së Shkencave, e cila drejtohet nga Skënder Gjinushi, një ish-politikan komunist, albanologjia do të ngrihet në një nivel më të lartë.

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike u shpreh kundër këtij vendimi duke e cilësuar atë një vendim si ndërhyrje të institucioneve politike mbi veprimtarinë kërkimore.

Nëpërmjet një deklarate publike ASA thotë se “është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave”.

“Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri; Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë”- thuhet në reagim duke lajmëruar një betejë ligjore për të mbrojtur “lirinë akademike”.

Akademia e Studimeve Albanologjike është institucioni ku bëjnë pjesë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Historisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare.