Fri, Nov 29, 2024

Socialdemokratët festojnë, SPD e Scholz-it del e para në zgjedhjet e shtetit të Brandenburgut

  • PublishedSeptember 22, 2024

Sipas rezultateve të para zgjedhore, partia e kryeministrit të preferuar në Brandenburg, Dietmar Woidke, SPD, arrin të marrë 31,2% të votave, kurse AfD në 29,9%.

Socialdemokratët në Brandeburg duhen të ndjehen të çliruar dhe të festojnë këtë të dielë. Të dhënat flasin për një fitore të SPD në zgjedhjet e landit në Brandenburg. Sipas prognozës së ARD, e Institutit infratest dimap, Partia Socialdemokrate arrin 31,2% të votave, vetëm pak para AfD-së me 29.9%. Kurse sipas të dhënave të grupit studimor “Zgjedhjet” për televizionin ZDF, SPD kryeson me 31,8%, e dyta renditet AfD me 29,2%.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të SPD-së, Kevin Kühnert,funksionoi “maratona e arritjes së objektivit “. SPD e landit u angazhuar maksimalisht javët e fundit. Por problemet e partisë SPD në federatë nuk janë bërë më të vogla, tha Kühnert.

AfD, e cila kohët e fundit ishte kryesuese në sondazhe u rendit në vendin e dytë. Por trendi i saj është në rritje. Para pesë vjetësh në këtë land AfD mori vetëm 23% të votave.

CDU arriti 11.8 për qind, kurse Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) e sapo formuar arrin menjëherë 12 për qind. Të Gjelbrit arrijnë 5% të votave, sipas infratest dimap. Kurse E Majta nuk ka gjasa të kalojë kufirin pesë për qind.

Në Brandenburg nuk hyjnë në parlamentin e landit partitë që arrijnë më pak se niveli 5% i votave, vetëm nëse arrijnë të marrin një mandat të drejtpërdrejtë.

Roli i kryeministrit Woidke
Zgjedhjet e së dielës ishin edhe një votim për të ardhmen e kryeministrit, Dietmar Woidke (SPD) me tre mandate qeverisjeje deri tani. Ai kishte bërë të ditur, se nëse AfD arrin të dalë forca kryesore do të tërhiqej nga qeveria. Kryeministri i Brandenburgut, Woidke është mjaft popullor në land. Sipas barometrit të ZDF-së më 19 shtator, 59% e votuesve e dëshironin atë si kryeministër.

Para votimeve të gjitha partitë e kishin përjashtuar një koalicion me AfD. Zyra e Mbrojtjes Kushtetuese e ka kategorizuar degën e AfD për landin si rast të dyshuar ekstremist, kurse kandidatin e saj kryesor Hans-Christoph Berndt si ekstremist të djathtë. Me 73 për qind, pjesëmarrja në votime ishte dukshëm më e lartë se në vitin 2019. Në atë kohë, 61,3 për qind shkuan në votime.

/dw



AlbaniaWeb.net