Wed, Nov 27, 2024

KQZ përgatit draftin për regjistrimin e votuesve të diasporës

  • PublishedSeptember 23, 2024

Qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të regjistrohen në një listë të posaçme, sipas një projektvendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Fillimisht, ata duhet të paraqesin një kërkesë individuale për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit brenda një afati që fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë përpara kësaj date.

Për këtë qëllim, KQZ do të krijojë Platformën Elektronike të Regjistrimit, PER, një platformë që pritet të jetë e aksesueshme pa pagesë në kompjuter ose telefon. Sipas projektvendimit, secili prej zgjedhësve duhet të krijojë një llogari në këtë platformë përmes tre faktorëve të autentifikimit; atij biometrik përmes njohjes së fytyrës, një kodi unik 6-shifror që i dërgohet zgjedhësit në telefon ose email si dhe përmes numrit personal të identifikimit.

Për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit, qytetarët duhet të vendosin në dispozicion një dokument të vlefshëm identifikimi, të tillë si pasaporta apo letërnjoftimi. Ata duhet gjithashtu që të ngarkojnë në platformë një certifikatë pronësie ose vërtetim banimi apo kontratë qiraje në vendin e rezidencës.

Projektvendimi i KQZ-së parashikon gjithashtu që të dhënat e regjistruara do të saktësohen përmes Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe vetëm pas verifikimit, regjistrimi do të quhet i realizuar me sukses.

Shqipëria po eksperimenton për herë të parë votën e diasporës pas më shumë se tre dekadash pas valës së parë migratore që shenjoi rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike ranë dakord që ta zgjerojnë bazën e tyre të votuesve në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, sipas projektvendimit të KQZ-së, është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore me emrat e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin që të votojnë. parashikon që ky proces të mbikëqyret nga auditues, por edhe nga partitë politike, organizata jofitimprurëse apo organizata ndërkombëtare.

 

Dokumentet që nevojiten për regjistrimit:

a) Një dokument i vlefshëm identifikimi i lëshuar nga Republika e Shqipërisë, pasaportë për jashtë shtetit, ose letërnjoftim.

b)Të paktën një nga dokumentet e listuar më poshtë që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:

1. certifikatë pronësie ose dokument ekuivalent në shtetin e rezidencës që provon pronësinë e banesës;

2. vërtetim banimi ose dokument tjetër ekuivalent i lëshuar nga organe shtetërore të vendit të rezidencës, ku përcaktohet adresa e banimit.

3. kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;

4. kontratë kredie për blerje të banesës;

5. kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;

6. kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë;

7. kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë;

8. dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni, apo tjetër të ngjashëm;