Rodri mbylli sezonin, Guardiola detyrohet të “shpik”, Kovacic ose Gundogan do të “sakrifikohen”
Të humbasësh Rodri-n, lojtarin më kyç të ekipit, për pjesën e mbetur të sezonit, është pa diskutim një goditje e fortë edhe për një klub të madh si Man.City. Ylli spanjoll këputi ligamentet e gjurit të djathtë gjatë takimit kundër Arsenal. Rodri fluturoi menjëherë drejt Barcelonës ku iu nënshtrua ekzaminimeve më të detajuara të cilat për fat të keq konfirmuan shkallën e rëndë të dëmtimit.
Rodri është i pazëvendësueshëm në sytë e Pep Guardiola-s, fakt që e vërtetojnë edhe shifrat: Rodri u aktivizua për 74 ndeshje radhazi pa u zëvendësuar asnjë herë, kjo maratonë u ndërpre më 25 mars të këtij viti, në ndeshje të FA Cup kundër Man.United.
Rodri është projektuar si një nga 3 finalistët për “Topin e Artë” pasi mbylli një vit fantastik, ku mes trofeve spikatin një titull në Premier League dhe fitues i “Euro2024”, turne ku u shpall edhe lojtari më i mirë.
Pep Guardiola-s nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të gjejë një zëvendësues brenda për brenda ekipit, rol që sipas të gjithë gjasave pritet ta marrë një ndërmjet Kovacic ose Gundogan, të paktën deri në janar, pasi nuk përjashtohet mundësia që Man.City të futet në merkato për të gjetur një zëvendësues.
()