Sun, Nov 24, 2024

“Me 340 mijë euro mbaron punë”/ Kërcënime dhe pengmarrje, si u përfshinë politikanë dhe prokurorë në skenën e mashtrimit të Milena Derjas, ish- punonjëse e Kuvendit

  • PublishedMay 31, 2023

Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë sot historinë e Milena Derajs, një nga historitë më të pabesueshme dhe më komplekse jo vetëm të mashtrimit, por që tregon edhe se si zyrtarë, avokatë dhe politikanë, bëhen pjesë e një skenari që në finalen e tij, ashtu si në filmat aksion përfundon me pengmarrjen e personazhit kryesor.

Një histori që në thelb na tregon edhe vetë çmendurinë ku noton realiteti i vërtetë shqiptar në kohët e sotme.

Milena Deraj, një 29 vjeçare nga Vlora, por me banim në Tiranë, ish-punonjëse në Bankën e Shqipërisë dhe në Kuvend, u përball me makthin e saj më të madh në jetë, pasi u përfshi në një skemë mashtrimi.

Ajo mori 340 mijë euro për t’u mbyllur çështjen gjyqësore, një familje në Shkodër, që kërkonte të shpëtonte të afërmit e tyre, nga dënimi i përjetshëm.

Ajo që e bën edhe më intriguese të gjithë vënien në skenë të mashtrimit, janë vetë personazhet e njohur të përfshirë në të, por edhe vetë historia se si Milena Deraj u përfshi në këtë ngjarje.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, gjithçka duket se nis në fund të vitit 2021.

Kohë, kur sipas Milena Deraj, ajo u kontaktua nga një mikeshë e saj, që më pas e njohu me një grua të identifikuar si Afërdita Ferracaku, e cila i qau hallin në lidhje me një çështje gjyqësore, ku ishin të përfshirë të afërm të saj.

Ajo i kërkoi që ta ndihmonte t’i shpëtonin dënimit që do t’i linte përgjithmonë në qeli.

Kjo çështje për të cilën Afërdita Ferracaku, u interesua për të krijuar lehtësira në sistemin e drejtësisë, ishte ajo e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 27 qershor 2021, në fshatin Pulaj, në plazhin e Velipojës, ku pas një përplasje për shezlongët midis familjes Ferracaku dhe asaj Gocaj, mbetën të vrarë shtetasit Kujtim Ferracaku dhe vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj.

Viktimë mbeti edhe kamerieri i hotelit në pronësi të vëllezërve Gocaj, Musaein Zeneli, vetëm 20 vjeç, i cili punonte për të siguruar jetesën, pasi babai i tij kishte ndërruar jetë ndërsa nëna punonte në spitalin e Shkodrës.

Vend ku iu desh të lante rrobat e gjakosura të të birit, pa e ditur se ai kishte mbetur viktimë në përplasjen e përgjakshme midis dy fiseve.

Ngjarje ku të plagosur, mbetën edhe shtetasit Hasan Ferracaku dhe Elmelind Dyli, të cilët u vendosën nën pranga dhe janë ende në gjykim nga gjykata e Shkodrës.

Ndërsa bashkë me ta, po gjykohen edhe Shyqyri dhe Abedin Ferracaku, të cilët rrezikojnë dënimin me burgim të përjetshëm për veprat penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese, kundër dy ose më shumë personave’ si dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’, në bashkëpuni, pasi konsiderohen protagonistët kryesore të masakrës.
Do të ishin pikërisht këto akuza të rënda, që vendosën në lëvizje familjen Ferracaku, të cilët filluan të lëvizin çdo gur të mundshëm për të shpëtuar nga dënimi drastik të afërmit e tyre, duke tentuar të gjejë shtigje korruptive në sistemin e drejtësisë, për të shmangur një dënim të tillë të formës së prerë, të cilin më pas do ta kishin të vështirë ta kundërshtonin.

Mesa duket ky është edhe momenti kur në lojë futet Milena Deraj.

Një personazh që deri në këtë moment ishte mjaftueshëm e ekspozuar në rrjete sociale, duke u ngjitur deri në llozhat e Parlamentit.

Ajo shpërndante foto në rrjetet sociale krah politikanëve, të cilat i shfrytëzonte për të krijuar edhe një raport mirëbesimi me ata që më pas do të ishin klientët e saj.

Në krahun tjetër ajo ruante miqësi edhe me disa personazhe që do t’i vinin në ndihmë, në punën e saj, siç del të jetë në dosje, njohja e saj me ish-prokurorin Arian Ndoja, i cili i mbijetoi atentatit të dështuar ndaj tij, më 1 nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit.
Ngjarje ku mbeti i plagosur rëndë ai vetë dhe miku i tij Aleksandër Laho, njohur si Rrumi dhe humbi jetën më pas në spital, shoferi i tij, Andi Maloku.

Por cili ishte roli i Arian Ndojës, tashmë në rolin e avokatit, në skemën e mashtrimit me 340 mijë euro, që kishte krijuar Milena Deraj, në dëm të familjes Ferracaku?

Dhe cila ishte lidhja e tij me ish-punonjësen e Bankës së Shqipërisë dhe më pas të Kuvendit?

Sipas dosjes hetimore, menjëherë pasi Milena Deraj, mori kontakt me familjen Ferracaku, u premtoi këtyre të fundit, se do të fliste me mikun e saj, Arian Ndoja, i cili mesa duket në këtë rast, kundrejt një shume të majme parash, do të vihej në lëvizje lidhur mbi rastin.

Kjo me qëllim që pjesëtarët e familjes Ferracaku, të përfshirë direkt në masakrën e Velipojës, me katër të vrarë dhe dy të plagosur, të mos shkonin përjetë prapa hekurave.

“Unë kam disa vite që njihem me ish-prokurorin Arian Ndoja, i cili sot është avokat. Një shoqja ime, e quajtur Elira Shyti, në fund të vitit 2021, më ftoi të takoja një shoqen e saj që kishte një akademi ku zhvillonte kurse profesionale, në rrugën ‘Unaza e Re’, pranë ‘Astir’.
Shoqja e mikeshës sime quhet Afërdita Ferracaku.
Në bisedë e sipër Afërdita më kërkoi që të bisedoja me një avokat që mund të merrte përsipër një çështje që disa të afërm të saj, kishin në Shkodër, lidhur mbi në hetim nga Prokuroria e Shkodrës për disa persona që akuzohen për vrasje dhe konkretisht për shtetasit Hasan Ferracaku, Abedin Hasan Ferracaku, Shyqyri Ferracaku si dhe një nip i tyre të cilit nuk ia kujtoj emrin”, deklaron Milena Deraj.

Ky avokat për të cilin Milena Deraj, do të dakordësohej për të hyrë në kontakt, do të ishte pikërisht Arian Ndoja, i cili më pas u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndonëse pret të përballet me shkallën e dytë të vettingut.

“Gjatë bisedës në zyrën e Afërditës, unë i thashë shoqes sime E.Sh, se këtë problem do ta bisedoja me Arjanin. Dhe nëse ai e merrte përsipër, ne do të flisnim sërish. Lidhur mbi këtë çështje, Afërdita më tha se do të vinte ta takonte personalisht një nga kushërinjtë e saj”, deklaron Milena Deraj.

Vetëm një javë pas kësaj bisede të parë që zhvilloi në ambientet e akademisë, Milena Deraj, siç del nga rrëfimi i saj, u rikthye sërish aty. Këtë herë për të takuar njeriun i cili ishte i interesuar direkt për të shpëtuar të afërmit e tyre nga dënimi i rreptë i drejtësisë.
Ky person që Milena Deraj, takoi këtë herë ishte Abedin Ferracaku, njëri nga djemtë e shtetasit Hasan Ferracaku, i cili sic thamë më herët është i arrestuar në lidhje me masakrën e Velipojës.

Abedin Ferracaku, i cili siç del, ndërsa ishte në listën e të kërkuarve nga policia për masakrën e Velipojës, ai jo vetëm lëvizte lirshëm por zhvillonte edhe takime edhe me ish- zyrtaren, për ti shpëtuar dënimit.

“Vetëm një javë më pas unë dhe shoqja ime Elira Shyti, shkuam përsëri te zyra e Afërditës.
Aty krahas saj, gjeta edhe shtetasin Abedin Ferracaku.
Pasi Afërdita na prezantoi, ajo na la vetëm me Abedinin dhe shoqen time në zyrën e saj.
Gjatë bisedës Abedini më tregoi mbi rrethanat e ngjarjes që atyre u kishte ndodhur në plazhin e Velipojës në Shkodër, si edhe faktin që për këtë vrasje, babai i tij Hasan Ferracaku, ishte në burg.
Ndërsa tre të tjerë ishin në kërkim për të njëjtën çështje”, dëshmon Milena Deraj.

Ashtu si edhe Afërdita në bisedën e parë të zhvilluar në zyrën e saj edhe Abedin Ferracaku, i kërkoi Milena Deraj, t’i gjente një avokat që t’i rregullonte punët.

“Gjatë bisedës Abedini, më kërkoi që t’i gjeja një avokat, me qëllim që ta mbronte gjatë gjykimit dhe që gjykata të merrte një masë më të lehtë.
Unë i thashë se do të bisedoja me një avokat, por nuk i përmenda asnjë emër, vetëm i thashë që do i ktheja përgjigje”, dëshmon Milena Deraj.
Ashtu siç edhe u premtoi, Milena Deraj nuk vonoi edhe foli me avokatin, që ajo mendonte se do i vinte në ndihmë familjes Ferracaku, në përballjen e tyre me drejtësinë.

Ajo thotë se u takua me Arian Ndojën, vetëm një javë më pas, të cilin siç më pas u rrëfye e njihte nëpërmjet një zyrtari të lartë të burgjeve.

Ky takim mes tyre u zhvillua në ambientet e një lokali pranë Liqenit Artificial në Tiranë, aty ku diskutuan çështjen e familjes Ferracaku.

“Një javë pas bisedës që zhvillova me Abedin Ferracakun në zyrën e Afërditës, unë u takova me Arian Ndojën, ku i thashë të më gjente një avokat të mirë.
Ai më tha se e kishte studiuar dosjen e familjes Ferracaku dhe ishte e pamundur që ata të mos dënoheshin”, thotë Milena Deraj.

Por me këto prova që ishin në dosje, ai do të kërkonte gjykim të shkurtuar, me qëllim për të shmangur dënimin e përjetshëm, gjithmonë nëse e pranonte gjykata, sipas rrëfimit që Milena Deraj, bëri përpara grupit hetues,

Por Arian Ndoja, siç del edhe nga dosja hetimore, i kërkoi mikeshës së tij shumën prej 340 mijë euro për 4 të pandehurit, ose ndryshe 85 mijë euro për kokë.

“Ariani, për t’i mbrojtur këto katër shtetas, konkretisht; Hasan, Abedin dhe Shyqyri Ferracaku, si dhe një nip të tyre, kërkoi 340 000 euro. Për të cilat unë i thashë se do të flisja me Abedinin dhe do i ktheja përgjigje”, dëshmon Milena Deraj.

Dhe sic vetë Milena Deraj u rrëfye, ajo u kthye sërish të Ferracakët për t’ju folur për shumën që kërkohej për t’i shpëtuar nga halli i kishte zënë me drejtësinë…

“Pas takimit që zhvillova me Arianin, unë kontaktova me shoqen time Elira Shyti, dhe të dyja u drejtuam në zyrën e Afërditës, ku na priste Abedin Ferracaku.
Ku sërish pa i thënë emrin e avokatit, e vura në dijeni se për ti mbrojtur që të kalonin në gjykim të shkurtuar, avokati kërkonte 340 mijë euro.
Abedini na tha se ishte dakord, por do vonohet deri në 6 muaj për të siguruar paratë.
Për këtë arsye ai kërkonte kohën e nevojshme”, tha ajo.

Ashtu sikurse edhe premtoi, Abedin Ferracaku, u bë i gjallë sërish 6 muaj pas takimit të fundit që kishte zhvilluar me Milena Deraj.
Ai i dha asaj në tri kohë të ndryshme, shumën prej 340 mijë euro.
Duke pritur tashmë që në këmbim të këtyre parave, ajo dhe avokati i saj të mbaronin punën, për të cilën kishin biseduar edhe më herët.

“Mesa mbaj mend ishte fillimi i vitit 2022, kur Abedin Ferracaku, më mori në telefon nga aplikacioni ‘Signal’ dhe më kërkoi që ta takonte me qëllim që të më jepte shumën e eurove që kisha biseduar me avokatin.

Ne u takuam te Lulishte ‘1 Maji’, ku ai më dha një pjesë të shumës, 80 mijë euro, të cilat ishin prerje 50 dhe 100 të pa mbështjella, të cilat i nxorri nga xhepi.
Ai më tha ndërkohë se pjesën tjetër do ia jepte në dy pjesë në kohë të ndryshme.
Unë këto para, i mbajta vetë deri kur Abedini të sillte të gjithë shumën që kërkonte avokati.
Dy javë më vonë, para Bankës së Shqipërisë, te stacioni i autobusit, në një taksi, Abedini më dha edhe 70 mijë euro.
Vetëm një muaj pasi më dha këstin e dytë të pagesës, Abedini më kontaktoi sërish në aplikacionin ‘Signal’.
Këtë herë ne u takuam përsëri te Lulishte ‘1 Maji’, ku ai më dha pjesën e mbetur të parave, duke plotësuar kështu shumën prej 340 mijë euro”, rrëfen Milena Deraj.

Milena Deraj tha në prokurori se të gjithë shumën ajo e mbajti për vete.
Madje kartmonedhat me prerje 50 dhe 100 euro, ajo i kishte kthyer në 500 euroshe.
Para të cilat ajo thotë se i kishte mbajtur në makinën e saj, derisa diçka shkoi keq në këtë histori.

“Të gjithë shumën që Abedini më dha kohë pas kohe fillimisht e mbajta në shtëpi.
Më pas për rreth 2-3 muaj, e mbajta në makinë, ku i ktheva në prerje 500 euro që të mos kishin volum.
Por gjatë kësaj kohe, Arian Ndoja më merr në telefon dhe më thotë se heq dorë nga kjo punë dhe nuk merret me ata. Unë nuk i tregova fare për shumën që më kishin dhënë për avokatin.

Dy ditë më pas nëpërmjet aplikacionit ‘Signal’, Abedini më mori në telefon dhe pavarësisht se i thashë që do të kthej paratë, ai nuk pranoi, duke më thënë se për këto para është vënë në rrezik dhe nuk do paratë, por do punën”, shton ajo.

Por Milena Deraj nuk e dinte ende se në ç’telashe ishte futur.
Ky ishte vetëm fillimi i problemeve të saj të vërteta, pasi personat e familjes Ferracaku me të cilët ishte përfshirë, këtë here sipas saj do t’i vendosnin gjobë mbi shumën që ajo u kishte marrë për të bërë punën dhe tashmë nuk kërkonin 340 mijë euro, por 540 mijë euro.

Ajo thotë se dy ditë para zgjedhjeve lokale, u takua me Abedinin, nipin e tij dhe Afërditën në një hotel në Tiranë dhe nga aty udhëtuan drejt Shkodrës, me qëllim për të takuar një politikan të njohur.

Por gjatë rrugës, itinerari i makinës me të cilën udhëtonin ndryshoi dhe ajo e pa veten, në një banesë njëkatëshe, ku tha se u kërcënua me armë në kokë, nga anëtarë të familjes Ferracaku.

“Të gjithë kemi dalë në këtë moment nga zyra dhe jemi futur të katërt në makinën e Abedinit, e cila drejtohej nga nipi, ku jemi nisur në Shkodër.
Afërdita ndodhej në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa Abedini dhe unë në sediljen e pasme. Pasi kemi mbërritur pranë Shkodrës, drejtuesi i makinës foli me një shokun e tij në telefon ku ai i tha se rruga për në qytet ka trafik dhe kështu u fut në një rrugë dytësore, ku eci për gati 15 minuta.
Pasi mbërritëm tek një ndërtesë një katëshe me oborr, ku nuk kishte persona të tjerë, aty erdhi menjeherë vëllai i Abedinit i quajtur Shyqyri, i cili në duar mbante një pistoletë dhe më futi në njërën nga dhomat e shtëpisë nga dera e pasme e saj, duke më ulur në një kolltuk ngjyrë të kuqe,
Duke më thënë se këtu ku isha ulur unë, ishte ulur edhe avokat Ariani.
Gjatë kësaj kohe për rreth 2 orë, ai më kërcënoi me armë se do të më vriste, nëse nuk i jepja shumën që kisha për ti dhënë dhe shumën tjetër prej 200 mijë euro”, rrëfen ajo.

Milena Deraj, tha gjithashtu se gjatë qëndrimit në banesën e familjes Ferracaku, ajo u detyrua po ashtu të bënte edhe një video ku pranonte se tashmë ajo nuk i kishte më kësaj familje 340, por 540 mijë euro.

“Gjatë kohës së qëndrimit në banesë ata më detyruan të bëj me telefonin e Abedinit, një video call me tekst: ‘Unë e quajtura Milena Deraj për çështjen e zotit Abedin Ferracaku kam marrë shumën prej 540 000 euro për dosjen Ferracaku me prokuror znj. Hamzaj’.
Gjatë kohës që unë bëja këtë video, të pranishëm ishin Abedini, Shyqyriu, shoferi i makinës si dhe Afërdita”, tha ajo.

Por ndërsa e lanë të lirë për momentin, familja Ferracaku nuk kishte përfunduar punë me Milena Deraj.

Këtë herë ata i thanë të paraqitej më 23 maj, në mbrëmje, në Shkodër.

“Më 23 Maj 2023, ata më thanë për tu takuar në Shkodër në një lokal.
Dua të them se në banesën që mbajtën për 2-3 orë, ata nuk përdorën dhunë fizike.
Por vetëm dhunë psikologjike, ku më kërcënonin me armën që mbanin në duar.
Pasi më lanë të lirë, me të njëjtën makinën që morën nga Tirana më dërguan së bashku me Afërditën deri në hyrje të Lezhës.
Këtu Afërdita mori një taksi dhe u kthyem në Tiranë.
Pas tre ditësh u takova me shoqen time Elira Shyti, e cila ishte shqetësuar shumë”, vijon rrëfimi.

Menjëherë pasi mori kërcënimin nga familja Ferracaku, Milena Deraj, tregoi për grupin hetues, se ajo u përpoq të merrte kontakt me Arian Ndojën, por ai sipas saj nuk iu përgjigj asnjëherë thirrjeve të saj.

Sic del nga dosja ai me gjasë ishte kontaktuar nga Ferracakët, dhe për këtë shkak kishte hequr dorë.

“Pas asaj që ndodhi unë u mundova të lidhesha me avokatin Arian Ndoji, por nuk munda të kontaktoja me të, që prej 2-3 muajsh.
Nga shumë 340 mijë euro që unë i mora familjes Ferracaku, unë u ktheva atyre vetëm 140 mijë euro. Pasi 200 mijë euro, i investova në fshatin Salari të Tepelenës, ku bëra një shtëpi guri.
Pasi ata nuk pranonin që të merrnin shumën e eurove që më kishin dhënë, por kërkonin edhe 540 mijë euro të tjera, të regjistruara në video”, dëshmon ajo.

Milena Deraj tha për hetuesit, se gjatë kohës që ajo mbahej peng në një banesë në Shkodër, Abedin Ferracaku sipas saj kanosi edhe njerëzit e saj të afërm.
Madje, kërcënimeve të familjes Ferracaku, nuk i kishte shpëtuar as shoqja e saj Elira Shyti.

“Gjatë kohës që u mbajta peng në banesën e tyre në Shkodër. Abedini kanosi edhe të afërmit e mi. Gjatë bisedës që bëra me mikeshën time Elira Shyti ajo më tha se tri ditët e fundit ishin shtuar kërcënimet edhe ndaj familjes së saj.
Madje, sipas saj, Abedini i kishte marrë asaj edhe pasaportën, duke mos ia kthyer”, dëshmon ajo.

Por kjo histori nuk do ishte kaq e koklavitur nëse në rrëfimet e Milena Deraj, nuk do të përfshiheshin edhe emra politikanësh.
Ajo tha se më datë 9 Maj 2023, u kontaktua edhe nga një personazh i rëndësishëm i politikës.

“Më datë 22 Maj 2023, nga një numër i huaj, në whats app, më mori Abedin Ferracaku, i cili më tha se: ‘Të erdhi dita, të pres në Shkodër më datë 23’
Më datë 9 Maj 2023, mua më mori në telefon Toma, për të më pyetur çfarë kishte ndodhur mes meje dhe vëllezërve Ferracaku.
Unë shkova e takova Tomën te rruga e Ambasadave në zyrën e tij.
Ku gjatë bisedës ai më pyeti nëse ua njeh borxhin apo jo, dhe unë u thashë se do ua ktheja paratë”, thuhet në dëshminë e saj.

Në lidhje me këtë dëshmi, grupi hetues i ballafaqoi ato edhe me personave të tjerë të përfshirë në këtë histori të gjatë mashtrimi dhe kërcënimi.
Një ndër personat që u pyet ishte edhe Afërdita Ferracaku, e cila tregoi edhe se si u njoh me Milenën dhe se si kjo e fundit u përpoq ti mbushte mendjen të investonte në bono thesari, për të cilën do ta ndihmonte ajo vetë duke qenë se ishte punonjëse e Bankës së Shqipërisë.

“Milena Derajn, unë e njoh nëpërmjet mikeshës sime, Elira Shyti.
Një ditë E.Sh erdhi në aktivitetin tim bashkë me Milenën, ku i bëra thonjtë, dhe gjatë bisedës kjo e fundit më tha se punon te Banka e Shqipërisë në departamentin e bonove të thesarit.

Ajo më tha gjithashtu se bonot kanë interesa shumë të larta, dhe se do ishte me interes për të investonte paratë aty”, tha ajo.

Afërdita thotë se nuk investoi, pasi pati dyshimet e saj.

Por sipas saj, për t’i mbushur mendjen të mos frikësohej nga investimi në bono thesari, Milena Deraj, e njohu edhe me bashkëshortin.

“Bisedat vazhduan normalisht për pak kohë. Milena më tha se bashkëshorti i saj punonte në Ministrinë e Brendshme dhe se kishte njohje të rëndësishme. Gjithashtu, sipas saj, ai mund të nxirrte edhe pasaporta shqiptare. Gjatë kësaj kohe e dëgjova shpesh Milenën të thoshte se kishte njohje me prokurorë dhe gjyqtarë të ndryshëm.

Dhe se kishte dijeni për një çështje që disa të afërm të mi kishin në Prokurorinë e Shkodrës.
Ajo më tha se njeh prokurorin Arian Ndoja dhe se ai mund t’ua zgjidhte këtë punë.

Këtë gjë Milena ia tha edhe kushëririt tim, Abedin Ferracakut, i cili i tha se do vinte ta takonte në Tiranë”, vijon dëshmia e saj.

Siç edhe Milena Deraj, tregoi në dëshminë e saj, edhe Afërdita Ferracaku, konfirmoi faktin se kushëriri i saj Abedini u takua me Milenën.

Por ajo thotë se nuk ishte në dijeni se si kishin evoluar punët midis tyre.

Ajo mësoi se Milena i kishte marrë paratë vetëm 10 ditë para zgjedhjeve të 14 majit, por nuk kishte bërë asnjë veprim për çështjen që familja e saj kishte në gjykatë.
Sipas saj, ky është edhe momenti kur familja Ferracaku nis të interesohet se kush është në të vërtetë, Milena Deraj.

“Pasi mësuam që Milena pavarësisht se kishte marrë 340 mijë euro, nuk kishte bërë asnjë punë, ne filluam të interesohemi se kush është ky person. Njerëz të ndryshëm na thanë se ajo po investonte bashkë me z.Tom Doshi, në ndërtimin e një pallati. Duke qenë se me këtë të fundit kemi marrëdhënie familjare, shkuam edhe e takuam. Ai na tha se këtë shtetase e njeh si emër, por kjo e fundit është mashtruese dhe nuk po investon në asnjë pronë me të. Për këtë arsye ai na kërkoi të mos merreshim me Milenën”, rrëfen Afërdita Ferracaku.

Por ndryshe nga sa tha Milena, se Abedin Ferracaku e ka kërcënuar duke i kërkuar tashmë jo më 340 por 540 mijë euro, Afërdita Ferracaku në dëshminë e saj përpara oficerëve të policisë, mohoi që kjo të jetë e vërtetë.

Ajo tha se Abedini i kërkoi Milenës, vetëm paratë që i kishte dhënë, madje sipas saj duke i falur edhe 50 mijë euro, vetëm t’i kthente pjesën tjetër të parave.

Po kështu Afërdita Ferracaku, ndryshe nga sa tha Milena Deraj se ishte mbajtur peng nën kërcënimin e armës në një banesë në Shkodër, mohoi që kjo të ishte e vërtetë.

Madje ajo tha se i mashtruari në këtë rast nga Milena Deraj, ishte kushëriri i saj, Abedin Ferracaku.

“Dua të sqaroj se në asnjë moment nuk kam shkuar në Shkodër, me Milenën, Abedinin, apo persona të tjerë. Pas bisedës që zhvilluam në Tiranë, ne jemi ndarë dhe nuk kam asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur. Unë deklaroj me bindje të plotë se Abedini nuk e ka kërcënuar asnjëherë në praninë time, Milenën. Por ndërsa Milena Deraj, po kërkonte t’i provonte grupit hetues, se ajo ishte peng e një historie ku nuk kishte asnjë faj”, dëshmon Afërdita Ferracaku.

Pikërisht në këtë moment një denoncim tashmë në dëm të saj, ndryshon edhe njëherë rrjedhën e ngjarjeve.

Këtë herë ajo që e fundosi u bë mikesha e saj Elira Shyti, e cila bëri kallëzim kundrejt saj për mashtrim.

“Milena Deraj më ka mashtruar. Fillimisht prezantimi me të ka qenë miqësor, ku ajo mu paraqit si punonjëse e Bankës së Shqipërisë.
Vetëm pak kohë pasi e njoha, Milena më propozoi të investoja në bono thesari, si një mundësi që do më sillte fitime.
Për një periudhë 6 mujore, unë i dhashë Milenës, një shumë në total prej 225 mijë euro.
Para të cilat i kisha marrë nga të afërmit e mi.
Pasi kaloi periudha në të cilën unë prisja që të merrja kthimin e investimit, Milena filloi të më shtyjë datat, duke më thënë se vonesat ishin për shkak të procedurave të Bankës.
Gjatë kohës që bisedoja me Milenën për këtë punë, ajo më njohu edhe me bashkëshortin e saj, i cili përgjatë gjithë kohës më thoshte të kisha besim pasi jo vetëm do merrja paratë e mia por edhe fitimin që më kishte premtuar Milena”, thuhet në dëshminë e Elira Shytit.

Por ndërsa priste që të bëhej e pasur nga investimi joshës që i kishte premtuar tashmë shoqja e saj, Milena Deraj, Elira Shyti, kuptoi se këto para mund të mos vinin më kurrë.
Por për tiu kthyer edhe njëherë historisë tashmë të mashtrimit me familjen Ferracaku, Elira Shyti, e cila ka shërbyer si ndërmjetëse midis Milena Deraj dhe Afërdita Ferracakut dhe më pas kushëririt të saj Abedin Ferracaku, pranon se kishte dijeni mbi atë çfarë po ndodhte dhe se këtë e kishte mësuar nga vetë Milena.

Ndërkohë që tashmë personat me të cilët Milena ishte perzier, kishin filluar të kërcënonin edhe atë vetë, madje të arrinin aty deri sa ti merrnin edhe pasaportën, me qëllim që të mos ikte jashtë Shqipërisë.

“Afërdita Ferracakun e njoh pasi e kam mikeshë prej vitesh, dhe kam qenë unë që e kam prezantuar me Milenën. Gjatë njërës prej bisedave, Milena më ka thënë se i detyrohej disa personave që kishte njohur nëpërmjet Afërditës, një shumë të konsiderueshme mbi 300 mijë euro. Gjatë kësaj kohe kam pasur mesazhe nga numra të huaj në aplikacionin ‘Signal’, të cilët më shkruanin që të mos dal nga Shqipëria as unë dhe as djali im, deri sa të mbyllej çështja e lekëve që Milena u detyrohej. Unë ia përcolla këto mesazhe Milenës dhe ajo më tha rri e qetë pasi do ua kthente lekët që u kishte borxh. Një ditë, persona të cilët nuk mund ti identifikoj, më ndaluan poshtë pallatit dhe më kërkuan pasaportën. Unë nga frika u ngjita lart, mora pasaportën dhe ua dhashë këtyre personave, të cilët pasi e morën, u larguan”, thuhet në dëshminë e Elira Shytit.

Por të gjitha këto dëshmi u bënë, pasi vetë Milena Deraj, trokiti në dyert e policisë dhe tregoi historinë, që sic thamë mbart shumë pikëpyetje.

Policia nisi hetimet dhe pasi mori edhe dëshmitë e disa prej protagonistëve vuri në pranga ish punonjësen e Kuvendit, e cila nga verifikimi i sistemit ‘Deepsee’, rezultoi se ishte përsëritëse në veprën e mashtrimit.

“Nga kqyrja e sistemit ‘Deepsee’ për shtetasen Milena Deraj, rezultoi se kjo shtetase është proceduar penalisht dhe më parë nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar për veprën penale ‘Mashtrim’, lidhur me investimet në bono thesari.
Për këtë arsye më datë 23 Maj 2023, ora 22.00, u bë ndalimi i kësaj shtetase pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘Mashtrimit’”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ndërsa Milena Deraj ndodhet në pritje të gjykimit në akuzën për mashtrim, janë të shumta pikëpyetjet që lidhen mbi historinë e saj, një histori, siç thamë tejet intriguese, por edhe me shumë pikëpyetje ku përfshihen shumë aktorë të drejtësisë deri edhe të politikës.

Cili është roli i ish-prokurorit Arian Ndoji në këtë histori?

A është marrë në pyetje Arian Ndoji dhe cili është versioni i tij për këtë histori?

A ka patur kontakt ai me të shumëkërkuarin Ferracaku dhe përse hoqi dorë prej rastit?

Përse E. Sh, nuk e kallëzoi më herët, mikeshën e saj në Bankën e Shqipërisë, Milena Deraj, por priti sa ajo të kryente një tjetër mashtrim me përmasa të mëdha?

A u përpoq familja Ferracaku në të vërtetë të korruptonte drejtësinë?

Përse hetimet dhe gjykimi për këtë dosje është mbajtur në sekret të plotë? Çfarë fshihet pas?
Dhe si lëviznin ata të lirë, kur ishin në kërkim nga policia?
Dhe e fundit, a do hetohet ndonjëherë e plotë kjo histori, për të mësuar të vërtetën se çfarë ndodhi në të vërtetë?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.