Thu, Nov 28, 2024

ZYRTARE/ Egbo largohet nga Bylis, ballshiotët zgjedhin trajneri ri, vjen një emër “big”

  • PublishedSeptember 25, 2024

6 javë ka zgjatur aventura e Emanuel Egbos në krye të Bylis. 5 pikë në 6 javë, vendi i parafundit në renditje, ka bërë që palët të zgjidhin kontratën ndërmjet tyre. Klubi i Bylis me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë publik këtë vendim, ndërsa kanë vendosur t’i besojnë stolin Nevil Dedes:

Egbo dhe Bylisi mbyllin bashkëpunimin,

Nevil Dede trajneri i ri i Bylisit✍️

Emanuel Egbo dhe Bylisi kanë mbyllur bashkëpunimin pas gjashtë javëve të kampionatit. Vetë trajneri nigerian ka pasur edhe një bisedë me presidencën, duke i parashtruar qëndrimin e tij, ndërsa në një prononcim për faqen e klubit, Egbo ka pohuar: “Ka qënë një vendim shumë i vështirë për mua, por kur bëhet fjalë për Bylisin kam menduar për më të mirën e skuadrës! Më mirë të lëviz unë, duke marrë përsipër ndryshimin, por edhe duke shpresuar sa më parë te kthesa. E kam menduar gjerë e gjatë dhe ja kam parashtruar edhe presidentit si mik prej vitesh, se një ndryshim tashmë që është herët mund të sjellë përmirësimin e ekipit dhe kjo lëvizje mund të jetë në të mirën e Bylisit. Unë jam pjesë e këtij klubi, jam mik me presidentin dhe dua kthesën e Bylisit, që mua më ka dhënë shumë si lojtar por edhe si trajner vite më parë. Nuk e heq presidenti trajnerin, sidomos duke ditur edhe mardhëniet që unë kam me Kapllanajn prej vitesh, sepse janë lojtarët ata që luajnë, prej nga varet rezultati, por edhe trajneri. Por edhe pas kësaj, unë do të vazhdoj që të jem afër Bylisit, si tifozi më fanatik, sepse Ballshi është, ka qënë dhe do të mbetet shtëpia ime! E bëra këtë hap sepse dua që Bylisi të ndryshoj dhe në fund të sezonit ta shoh në Europë, sepse skuadrat e tjera nuk kanë asgjë më shumë. Ky është një vendim personal i imi, falënderoj të gjithë ata që bashkëpunuam, Ballshi dhe Bylisi janë në zemrën time! Mirupafshim, Forca Bylis”,- tha Emanuel Egbo.

Trajneri i ri i Bylisit do të jetë një tjetër emër me shumë eksperiencë në drejtim në kampionatin tonë, Nevil Dede, që nis punën nga sot me Bylisin, në prag të sfidës me Elbasanin që luhet të dielën në orën 16:00, në “Adush Muçaj”.

AlbaniaWeb.net