Thu, Nov 28, 2024

Në Banjat e Bënjës po ndërtohet/ Projekti për mbrojtjen lumore shqetëson turistët dhe ambjentalistët

  • PublishedSeptember 26, 2024

Banjat termale të Bënjës dhe kanioni i Langaricës të vendosura 20 minuta larg Përmetit, janë mes atraksioneve natyrore më të preferuara të vjeshtës dhe të dimrit në Jug të vendit.

Paralelisht sezonit që po vazhdon një investim publik i Fondit Shqiptar të Zhvillimit duket se ka shqetësuar dhe konfuzuar shumë prej atyre që vizitojnë Langaricën këto ditë.

“Është shumë ngrohtë, uji është i ngrohtë dhe nuk ka edhe aq shumë njerëz kështu që është shumë bukur, vërtetë. Nuk e di çfarë po bëjnë këtu por patëm mundësi të ecnim përreth 1 km dhe mund të them se kjo nuk na shqetësoi sepse pas 200 m nuk dëgjohet më zhurma.”

“Jemi nga Irlanda dhe sapo kemi ardhur këtu. Po punojmë remote nga Shqipëria për gati një muaj dhe ishte shumë bukur. Kemi qenë në Himarë, në Borsh, në Gjirokastër, këtu, pra 5 javë në Shqipëri. Kjo zhurma këtu është pak zhgënjyese. Nuk e di çfarë po bëjnë sepse sapo kemi ardhur. Patëm edhe pak vështirësi që të orientohemi por kjo që shohim edhe zhurma është disi çorientuese.”

“E ke idenë çfarë po bëhet këtu? Po, po rregullohet muri mbrojtës për parkun këtu, se erdhi lumi dhe e hëngri aty poshtë. Keni pasur probleme nga kjo gjë? Po po unë kam pasur edhe lokalin këtu më përpara dhe vinte lumi deri tek lokali.”

Projekti sipas bashkisë Përmetit synon të realizojë mbrojtjen lumore dhe evitimin e erozionit.

Alma Hoxha kryetare e bashkisë Përmet

“Ka një projekt që sapo ka nisur zbatimin që synon në punime riparimi, mirëmbajtje, rehabilitimi të gjithë infrastrukturës së ujitjes, kullimit, mbrojtjes nga përmbytja, mur mbajtës për tarracimet e tokave bujqësore.

A është miqësore me mjedisin gjithë kjo ndërhyrje?

Sigurisht që në projekt janë parashikuar që kjo ndërhyrje të jetë miqësore me mjedisin.”

Sasi të mëdha inertesh dhe gurësh të zinj zalli po zhvendosen nga mjetet e rënda në shtratin e lumit shumë pranë vaskave termale dhe urës mesjetare të Kadiut. Përgjegjësi i kantierit Elvjon Musaj thotë se gërryerja e lumit për ndërtimin e murit mbrojtës është e pashmangshme por sipas tij ndërhyrja nuk do të ndryshojë fizionominë e rrjedhës.

“Më shpjegoni pak çfarë po ndodh këtu? Kemi një zhvendosje të gjithë zallit të gurit të zi që ishte edhe atraksion natyror.

“Ne thjesht po hapim themelet dhe pastaj do sjellim materiale dhe do ndërtojmë murin. Ky material pastaj do mbështetet mbi murin që ne do ndërtojmë për ta përforcuar.

A ka një dëmtim ambjental të shtratit të lumit në këto kushte?

Nuk e besoj se kemi dëmtim sepse thjesht është e nevojshme që të hapet themeli.”

Nga ana tjetër ambjentalistët janë të shqetësuar për ndërhyrjen. Olsi Nika nga Eco Albania argumenton se ndërhyrja është agresive dhe kërcënuese për natyrën e këtij habitati dhe do të duhej të ishte konsultuar me grupet e interesit para implementimit.

Olsi Nika ekspert mjedisi Eco Albania

” Kjo ka të bëjë me një modernizim të natyrës dhe tjetërsim të natyrës në hapësirën e një zone të mbrojtur, pavarësisht se nuk është pjesë e parkut kombëtar të lumit Vjosa, është pjesë e një parku tjetër Bredhi i Hotovës-Dangëlli e nga ana tjetër është një nga zonat që për shkak të natyralitetit ka tërhequr vëmendjen e mjaft vizitorëve. Faza e parë që shohim me makineritë e rënda që punojnë direkt në shtratin e lumit është pikërisht faza më shkatërrimtare sepse ajo ndikon drejtpërdrejt në hidromorfologjinë e rrjedhës së lumit Langarica por edhe në florën e faunën që ndodhet në këtë lumë. Është e papranueshme kjo mënyrë kaq agresive ndërhyrjeje për të siguruar në mendjen e atyre që zhvillojnë më shumë turistë ndërkohë që është natyraliteti ai që duhet mbrojtur sepse është kjo arsyeja pse turistët shkojnë në atë zonë. Nga ana tjetër për këtë projekt ne si palë interesi nuk jemi informuar apo thirrur na asnjë dëgjesë publike. Kur bëhet fjalë për një ndërhyrje në natyre të këtyre përmasave është mirë që të konsultohen të gjitha grupet e interesit në mënyrë që edhe ndërhyrjen në këto zona sensitive të bëhen në mënyrën e duhur.”

Në Bënjë mes kanionit të Langaricës gjenden të paktën katër burime sulfurore me efekte shumë të larta kurative për reumatizmat, lëkurën, sëmundjet e aparatit të tretjes. Më parë mes viteve 1964-1975 vaskat sulfurore shfrytëzoheshin nga shteti por më pas shfrytëzimi i tyre ka qenë kaotik dhe spontan. Ndërhyrja aktuale duket se po i paraprin një tjetër plani shfrytëzimi të këtij destinacioni që për momentin nuk është i qartë por që parashikon ngritjen e shërbimeve për vizitorët.



AlbaniaWeb.net