Njeriu i rekordeve, Bajrami “raketë” në Evropë, gol pas 55 sekondave: Ndjesi e bukur, jam krenar (VIDEO)
23 sekonda i mjaftuan Nedim Bajramit për të realizuar golin më të shpejtë në historinë e Evropianit, 55 sekonda i mjaftuan për të realizuar në debutimin e tij në një turne Evropian. Fantazisti kuqezi është kthyer në njeriun e rekordeve, këtë herë me fanellën e Rangers Glasgow.
Në transfertë përballë Malmo, Bajrami ndoqi aksionin deri në fund, përfitoi nga një top i kthyer në zonë pas përplasjes në shtyllë duke realizuar golin e tij të parë në Europa League. Pas 26 vitesh, Bajrami kap Gattuso-n, si lojtari që realizon golin më të shpejtë për Rangers në Evropë. Sigurisht nuk mungoi as festa me simbolin e shqiponjës për t’i treguar origjinën të gjithë botës.
Me një Bajrami në super formë, Rangers doli me tre pikë nga sfida e parë në Europa League pas suksesit të pastër 0-2. Bajrami rezultoi lojtari i ndeshjes i vlerësuar nga “SofaScore” me notën 8.8.
Në dy ndeshjet e fundit si titullarë, Bajrami ka dhuruar një assist dhe ka shënuar një gol, duke vërtetuar klasin që ka. Në përfundim të ndeshjes, Bajrami nuk i fshehu emocionet për golin e tij në debutimin evropian: “Ishte shumë bukur të realizoja dhe të ndihmoja ekipin. Duhet të vazhdojmë kështu pasi ka ende dhe shumë ndeshje, por jam shumë krenar për golin e shënuar. Si ndihem në Skoci? Është pak e vështirë”, pasi prej 5 sezonesh kam luajtur në Serie A, është pak ndryshe, por pak nga pak po përshtatem, u shpreh Bajrami.
Me fjalë të mëdha për yllin kuqezi foli dhe trajneri i Rangers: “Kjo është diçka shumë e madhe për Bajramin. Ai sapo ka ardhur këtu, por ju mund ta shihni ndikimin e madh që ka në mënyrën se si ne luajmë. Ai do të bëhet një lojtar shumë i rëndësishëm për Rangers”, u shpreh trajneri Philippe Clement.
()