“S’të jep njeri të hash po nuk qave”, të moshuarit kundër rritjes së pagave për deputetët dhe ministrat: Kthejini sytë nga ne dhe rrisni pensionet tona
Të moshuarit kanë shprehur indinjatën e tyre për vendimin e Kuvendit për rritjen e pagave për deputetë, ministra dhe administratën, ndërsa kërkojnë rishikim të pensioneve të tyre.
Teksa shprehën shqetësimet e tyre në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’ në News24, me moderator Edvin Peçi, të moshuarit i bënë thirrje qeverisë që të kthejë sytë nga ta.
Ndërkohë ka pasur dhe problematika të tjera që ata kanë shprehur në këtë dritare të tyre për t’u shprehur lirshëm, për çështje pronash apo dhe rastet e shpeshta të grabitjeve të banesave në Lushnjë.
SHQETESIMET
Qytetari: Doja të merrja disa dokumente, ndërsa bëhet fjalë për një vërtetim që duhet ta marr. Por duhet ta marr online dhe se marr dot. Doja një vërtetim për të treguar se ku kam punuar, por dikush më kërkoi 20 mijë lekë.
Qytetari: Duhet të ulet hunda për situatën në Kosovë, dhe duhet të merret në kontroll situata nga ndërkombëtarët. Kurti duhet të tërhiqet. Po dhe Serbia duhet të ulë hundët. Situata është shumë e rëndë.
Qytetarja: Jemi banorë te Tiranës, rruga Ramadan Gabzërri, është e keqe, ka vite që nuk rregullohet. Kemi frikë të dalim dhe nga qentë e bashkisë
Qytetari: Jemi në Vlorë te lagja te spitali dhe skemi ujë. Nuk kemi farë. Vitit 2023 dhe nuk kemi ujë. I helmoftë buka që hanë që nuk ngrihen për ujin.
Qytetari: Jam një invalid nga Lezha, që të gjithëve i jep nga 50 mijë lekë dhe neve nuk na u dha. Ne nuk e kemi marrë asnjë invalid. Si ka mundësi që nuk kemi marrë. Më thanë se nuk ju takon ajo 50 mijë lekshi.
Qytetari: Për plazh publik janë lënë ato zona që nuk mund të përdoren. Privati ka marrë një sipërfaqe të madhe, nuk respektohet ndarja e hapësirave.
Qytetari: Në qytetin e Lushnjës po grabiten banesat private, njerëzit dhe përfundojnë në spital. Policia e Rrumbullakut duhet shkrirë e gjithë. Këta janë hajdutë
Qytetari: Jam invalid që marr 97 mijë lekë në muaj, a nuk do të marrim ndonjë lekë?! Aq s’na dalin.
Qytetari: Duhet t’i jepet rëndësi dhe kulturës. Pa kulturë nuk ka rëndësi asgjë.
Qytetari: Këta luajnë me futbollin, këta luajnë me Kinën për baste. Ai Armando Duka shkatërroi futbollin.
Qytetarja: Kam 21 vite nëpër gjyqe. Dje i kam dërguar me rekomande te Trajtimi i Pronave, për një farë kompensimi. Unë nuk përfitoj se nuk njoh as gjyqtar. Dhe një gjyq që fitova në Shtroj, për 42 mijë metra tokë, më tha; je me vonesë. Nuk ma dhanë.
Qytetari: Si nuk është menduar asnjëherë për ne pensionistët. Kush janë shtresa e mesme në Shqipëri? Ministra dhe deputetë? Si nuk doli kush që të mendojë për ne për pensionet tona.
Qytetari: Problemin e kisha për pensionet. Para viteve 90 ishte ligji i parazitizmit. Pra çdo person ka qenë në punë. Ndërkohë sot thonë se; janë djegur dokumentet. Po si ka mundësi që të digjen borderotë. Kur në Shqipëri ndërrohet sistemi, ia fusin popullit se thonë s’dimë gjë. Këta kanë bërë një gjë me konfiçentin e pagave. Dyfishimi i rrogave nuk lejohet të behet, pa u prekur pensionet.
Qytetarja: E di shumë mirë kryeministri që nuk jetojmë ne pensionistët. Të gjithë të betuar për t’ja dhënë atij votën. Tani të vdesin të gjithë pensionistët, nuk pyes kot. Nuk të jep njeri të hash po nuk qave. Çohuni dhe ngrihuni të gjithë sikur shkuan në votime dhe thojini; ‘nuk na e rrit pensionin? Atëherë çohu
dhe ik nga këtu’.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–