Situata te Tirana, analiza nxjerr “zbuluar” sulmin
Tirana duhet të lëvizë në sulm që të arrijë të fitojë. Ky është konkluzioni që ka dalë nga mbledhja që drejtuesit e ekipit kanë bërë me grupin bardheblu në prag të sfidës me Skënderbeun. Trajneri Bledi Shkëmbi dhe drejtori Agim Ibraimi kanë dalë në konkluzion se problemi kryesor i ekipit është altruizmi i munguar në sulm, por edhe ndjekja që i bën skuadra aksionit në finalizim.
Sipas trajnerit Shkëmbi, ekipi vuan zgjidhjet në sulm, të paktën para porte. Shkëmbi u ka bërë të qartë lojtarëve se skuadra është mirë me mbajtjen e qarkullimin e topit, por vuan te porta, dhe cilësia e atyre që do të shtyjnë topin në rrjetë. Gjatë analizës, Shkëmbi ka kërkuar që gjërat të ndryshojnë nga sfida e radhës në kampionat ndaj Skënderbeut ku skuadra duhet të tregojë veten në fushën e lojës.
GOLAT – Tirana ka deficit në gol dhe në golavarazh. Ekipi ka 6 gola të shënuar, ose 40-50 për qind më pak se tri sezonet e fundit. Vetëm në sezonet 2018-2019 dhe 2020-2021 ka shënuar pesë gola. Përsa i përket rrjetave të pësuara, është shumë mirë nga sezoni i shkuar kur ekipi bardheblu kishte marrë 10 gola. Mbrojtja e sezonit të shkuar është ndoshta mbrojtja më e keqe e historisë bardheblu dhe skuadra e këtij viti është akoma më mirë. Tirana është shumë larg edhe kampionatit që në fazën e parë arriti të merrte 20 pikë, duke u mundur në javën e 9-të. Një shifër shumë e largët. Bardheblutë duhet të luajnë me Skënderbeun, Teutën dhe e mbyllin fazën e parë me Dinamon, në derbin tjetër të kryeqytetit.
OBJEKTIVI – Tirana ka kohë tri ndeshje që jo vetëm të marrë fitoret, por të ngjitet në renditje. Kjo është situata te bardheblutë me drejtuesit që duan me doemos ndryshimin. Nëse bardheblutë do të dështojnë edhe në këto takime, atëherë klubi do të ndërhyjë. Fakt është, që trajneri, por edhe lojtarët duhet të kapin këto tri ndeshje si mundësinë për të treguar veten, pasi pozita në renditje nuk është nga më të mirat, paçka faktit që nuk janë mundur asnjë sfidë dhe nuk janë larg në renditje. Së pari ishte presidenti Refik Halili që shprehu pakënaqësitë. Më pas drejtori Agim Ibraimi e dha shenjën e dytë. Ai deklaroi se ekipi duhet të kthehet te fitorja, ndërsa trajneri dhe stafi duhet të gjejnë rrugën për ta çuar skuadrën te tri pikët. Nga minuta e parë me Skënderbeun e deri te fundi i derbit me Dinamon është një 270 minutësh me presion të lartë për skuadrën, por mbi të gjitha mbi trajnerin Bledi Shkëmbi. Detyra është e qartë. Fitore.