Tue, Oct 1, 2024

Egnatia humb mesfushorin para transfertës, sulmi në krizë

  • PublishedOctober 1, 2024

Egnatia duket realisht se ka humbur diçka nga forca e sezonit të shkuar, kur dominonte çdo kundërshtar, por është fakt që me Partizanin ndikuan jo pak mungesat që trajneri Tetova kishte në mbrojtje. Arbenit Xhemajli nuk ishte i grumbulluar për shkak dëmtimi.

Për të njëjtën arsye nuk luajtën Dylis dhe Fangaj, por këta të fundit të paktën ishin në stol. Trajneri Tetova nuk preferoi ndoshta të rrezikonte, duke i ruajtur dy lojtarët për sfidën e radhës me Skënderbeun në Korçë. Shpresat janë që Dylis dhe Fangaj do të jenë gati për këtë transfertë dhe ky është një lehtësim për stafin teknik të rrogozhinasve. Por edhe për këtë javë mungesat nuk u ndahen kampionëve në fuqi.

AHMETAJ – Mesfushori Alesandro Ahmetaj, titullar në ndeshjet e fundit, nuk mund të luajë kundër Skënderbeut, sepse është i skualifikuar për shkak kartonësh. Kartoni i verdhë që lojtari mori ndaj Partizanit të premten e kaluar ishte i katërti, kështu që ai e ka humbur sfidën e javës së 8- të. Ahmetaj shënoi 2 gola në fitoren e thellë kundër Bylisit dhe po bënte një paraqitje të mirë, ndërsa tani vjen ky pushim i detyruar. Në mesfushë Egnatia në fakt ka alternativa. Aleksi, që ka luajtur në mbrojtje, pritet të kthehet në vendin e tij, ndërkohë që të gatshëm për trajnerin Tetova janë edhe Zejnullai, Lushkja dhe Ujka, apo edhe Uotlai.

SULMI – Kampionët në fuqi vazhdojnë të shfaqin probleme në repartin e sulmit, ku në 7 ndeshje të zhvilluara vetëm 2 gola kanë realizuar lojtarët e këtij reparti. Vuthaj ka shënuar vetëm një gol me penallti, po ashtu edhe Xhoel e ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm një herë. Këta kanë qenë dy sulmuesit titullarë të rrogozhinasve, ndërsa ata që janë aktivizuar si zëvendësues, Kasa, Drame dhe Jahaja, nuk kanë shijuar ende golin e parë sezonal.

Më së shumti për Egnatian kanë shënuar mesfushorët dhe konkretisht Lushkja, Zejnullai, Ahmetaj dhe Ujka, si dhe mbrojtësit Fangaj, Ndreca dhe Xhemajli. Kuptohet që tek Egnatia kanë diçka për të rikuperuar në repartin e avancuar sa nuk është vonë. Ndoshta me aktivizimin e Bakajokos, i cili është kthyer nga dëmtimi, ky problem jo i vogël do të zgjidhet për skuadrën e trajnerit Edlir Tetova.

AlbaniaWeb.net