Sun, Nov 24, 2024

Kërkohet burg për ish-gjyqtarin e Kushtetueses! Nga dhjetëra të shkarkuar nga KPA, vetëm disa të hetuar! Pse numri i të akuzuarve është i ulët?! 

  • PublishedOctober 1, 2024

Gjashtë vjet prej shkarkimit nga detyra e gjyqtarit kushtetues, SPAK kërkoi që gjykata antikorrupsion ta shpallë fajtor Fatos Lulon. Si një nga ish-funksionarët e drejtësisë i hetuar për fshehje të pasurisë, kryer në formën e deklarimit të rremë, Lulo rrezikon jo vetëm dënimin penal, por edhe sekuestrimin e një pasurie të pajustifikuar.

Gjatë pretencës, prokurorja e posaçme Doloreza Musabelliu i kërkoi  gjykatës që ta dënojë ish-funksionarin me një vit burg, i cili duhet konvertuar në shërbim prove për dy vjet.

Nga ekspertizat financiare të prokurorisë së posaçme që kundërshtohen prej ish-gjyqtarit kushtetues, ka dyshime se ai nuk justifikon një pasuri në kryeqytet që përdoret për njësi shërbimi.

Por ish-gjyqtari kushtetues ka këmbëngulur gjatë gjykimit se nuk janë llogaritur siç duhet të ardhurat e tij nga paga, për vitet kur ai ka qenë i angazhuar si avokat dhe ekspert. Këto pretendime janë shtruar prej ish gjyqtarit të kushtetueses edhe gjatë vettingut, që i kaloi në sitë jo vetëm të ardhurat e tij por edhe të familjarëve. Ndërkohë më herët gjykata ka dënuar ish-kryetarin e gjykatës kushtetuese Bashkim Dedja për të njëjtën akuzë, atë të mos deklarimit të një apartamenti në Durrës, ndërsa ka shpallur pretencën edhe për ish-gjyqtarin e lartë Guxim Zenelaj.  Nga 266 gjyqtarë dhe prokurorë të pakonfirmuar në detyrë prej vettingut, vetëm fare pak prej tyre janë marrë nën përgjegjësi penale, pasi rivlerësimi i trefishtë konsiderohet si një proces administrative.

Deri në përfundimin e vettingut në dhjetor të këtij viti presin ende kontrollin edhe 12 të tjerë, ndërkohë që verifikimi i të ankimuarve do të  vijojë të shqyrtohet në KPA, ku do të ketë rol në kolegje sipas ligjit edhe kryeprokurori i SPAK.

Numri i të hetuarve është i ulët, edhe ata që po hetohen janë referuar nga një avokat. Dhe SPAK i është nevojitur të sigurojë ekspertë financiarë që kanë kryer edhe njëherë kontroll financiar, sepse gjetjet  e KPK janë administrative dhe kontrolli penal është i një natyre tjetër.

 



AlbaniaWeb.net