“Rajoni po shkon drejt humnerës”/ Bashkimi Evropian, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania dënojnë sulmin iranian ndaj Izraelit
Zyrtarë të lartë nga Franca, Britania, Gjermania dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar të gjithë sulmet me raketa të Iranit ndaj Izraelit, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme katastrofike për rajonin më të gjerë.
Kryeministri britanik Keir Starmer e konsideroi një “përpjekje të regjimit iranian për të dëmtuar izraelitët e pafajshëm” dhe “përshkallëzimin e kësaj situate të rrezikshme” në Lindjen e Mesme.
Udhëheqësi britanik zhvilloi një telefonatë me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, kur filloi sulmi iranian, sipas zyrës së Starmer.
“Jam thellësisht i shqetësuar që rajoni është në prag dhe jam thellësisht i shqetësuar për rrezikun e llogaritjes së gabuar”, tha Starmer gjatë një deklarate video.
Starmer tha se kishte përdorur telefonatat me Netanyahun dhe homologët e tij libanezë, francezë dhe palestinezë për të nxitur një “dialog politik”, sipas CNN.
Annalena Baerbock, ministrja e Jashtme e Gjermanisë , gjithashtu dënoi sulmin e Iranit “në termat më të fortë të mundshëm”.
“Ne e kemi paralajmëruar urgjentisht Iranin kundër këtij përshkallëzimi të rrezikshëm. Irani duhet të ndalojë menjëherë sulmin. Ai po e çon rajonin më tej në humnerë”, tha Baerbock në X.
Kryeministri francez Michel Barnier gjithashtu vlerësoi atë që ai e përshkroi si “një situatë jashtëzakonisht serioze në Lindjen e Mesme”.
“Unë po flas … në një kohë kur situata po përkeqësohet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, me një përshkallëzim dhe një sulm, dhe një konflikt të drejtpërdrejtë që duket se është duke u zhvilluar midis Iranit dhe Izraelit”, u tha Barner ligjvënësve në parlamentin francez.
Josep Borrell, kryediplomati i BE-së , paralajmëroi se një “cikël i rrezikshëm sulmesh dhe hakmarrjesh” është duke u zhvilluar që rrezikon “të dalë jashtë kontrollit”.
Blloku është “plotësisht i përkushtuar për të kontribuar për të shmangur një luftë rajonale”, tha Borrell, duke theksuar se “është i nevojshëm një armëpushim i menjëhershëm në të gjithë rajonin”.
AlbaniaWeb.net