Sun, Nov 24, 2024

Teuta stabilizon mbrojtjen, durrsakët kërkojnë edhe “kokën” e Tiranës

  • PublishedOctober 2, 2024

Ndeshja e radhës për Teutën është ajo me Tiranën, që luhet në stadiumin “Niko Dovana”. Kundërshtari në fakt është fatsjellës për skuadrën e Martinit, është “preja” e preferuar.

Kundër bardhebluve durrsakët kanë ditur gjithmonë të marrin maksimumin. Kujtojmë këtu fitoren 1- 2 të Teutës në “Air Albania”, ku shënonin Jazxhi dhe Daci. Mbrojtësi rikthehet kundër Tiranës, pas mungesës kundër Laçit për shkak kartonësh. “Djemtë e Detit” i kanë bërë një nisje të mirë sezonit, duke marrë 10 pikë në 7 javë. Në ndeshjet e fundit është vënë re se ata kanë stabilizuar edhe prapavijën, që shfaqi probleme në fillim dhe Teuta pësoi shumë gola. Gjatë 180 minutave kundër Dinamos dhe Laçit, Tafas ka pësuar vetëm 1 gola dhe kjo është diçka pozitive për mbrojtjen.

EKIPI I PLOTË – Një lajm i mirë për trajnerin Edi Martinit është se Teuta do të jetë e plotë me Tiranën. Përveç rikthimit të mbrojtësit Artan Jazxhi, gati duket se janë edhe mesfushorët Mingos dhe Arifi, duke shtuar kështu alternativat për formacionin dhe stolin. Në këtë situatë, synimi i vetëm i durrsakëve ndaj Tiranës është trepikëshi.

AlbaniaWeb.net