Thu, Oct 3, 2024

Mesazhi i ambasadori të BE-së për komisionin “Xhafaj”: Fokusohuni te anti-korrupsioni e mirëqeverisja, mos prekni mandatin e institucioneve të drejtësisë

  • PublishedOctober 3, 2024

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato e cilësoi rolin e Komisionit të Posaçëm antikorrupsion, si një mundësi të mirë në përpjekjet për prandalimin e korrupsionit dhe mirëqeverisjes.

Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë që masat e reja që ndërmerren në drejtim të luftës antikorrupsion, të mos kufizojnë mandatet e organeve të pavarura.

“Kuvendi krijoi një Komision të Posaçëm me synimin e avancimit të reformave  të mirëqeverisje, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Kjo është një mundësi për të fuqizuar përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, duke përfshirë kështu një sërë aktorësh dhe ekspertësh. Masa të tjera krijohen sigurisht, por është po aq e rëndësishme që të gjithë partnerët në rajon të shmangin veprimet që minojnë përpjekjet antikorrupsion, për shembull dobësimi i transparencës në prokurimin publik, apo akte ligjore të porositura, të cilat anashkalojnë procedurat standarde, apo kufizimin e mandateve të organeve të pavarura antikorrupsion”, deklaroi Gonzato.

Deklaratat e ambasadorit të BE-së vijnë pak ditë pas replikave që ai pati me kryetarin e komisionit të posaçëm parlamentar për anti-korrupsionin dhe mirëqeverisjen në një aktivitet ku u publikua raportin mbi punën e SPAK- dhe dhe Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Xhafaj argumentoi nevojën për ndërhyrje ligjore duke përmendur llogaridhënien dhe transparencën në këto organe.

“Pavarësia në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën. Ky do të ishte një gabim i madh. Pa institucione të pavarura të drejtësisë, nuk ka drejtësi të pavarur. Kriteret si përgjegjshmëria dhe transparenca nuk mund të përdoren me koston e pavarësisë së tyre dhe mendoj se ka mekanizma të brendshëm, që institucionet e drejtësisë t’i rrisin këto dy cilësi”, tha Xhafaj.

Por ambasadori i BE-së kërkoi që raportet e Brukselit nuk duhet të keqpërdoren.

“Unë e di që në Raportin tonë të Progresit ose Raportin e Shqyrtimit të Legjislacionit, flasim për Parlamentin që të ushtrojë rolin e tij në mënyrë më adekuate, por kjo nuk ishte menduar të formulohej si ndryshim i kontrolleve dhe balancave aktuale ose ndryshimi i hierarkisë midis institucioneve të ndryshme. Ato synojnë thjesht të inkurajojnë Parlamentin që të ndjekë seriozisht ato diskutime që ai ka rregullisht me institucionet e pavarura të drejtësisë dhe institucione të tjera, dhe të ndjekë rekomandimet e bëra në raportet e këtyre institucioneve, duke marrë masat që nevojiten, duke përfshirë edhe masat buxhetore”, tha Gonzato.



AlbaniaWeb.net