KPK ndërpret vetingun e ish-ndihmësit ligjor pas dorëheqjes
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 18 maj 2023 të ndërpresë vetingun e filluar rreth dy vjet më parë ndaj ish-ndihmësit ligjor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Dashamir Alsula, si dhe i ndaloi atij rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Komisioni sqaron se gjatë periudhës së rivlerësimit kalimtar, Alsula ka ushtruar detyrën e ndihmësit ligjor pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Në qershor të vitit 2021, është hedhur shorti dhe filluar hetimi administrativ për këtë subjekt rivlerësimi. Rreth dy muaj e gjysmë më vonë, KPK e ka njoftuar Alsulën nëpërmjet postës elektronike mbi fillimin e procesit të vetingut dhe përbërjen e trupit gjykues, por ka rezultuar se ai nuk ka konfirmuar marrjen dijeni për këto njoftime të dërguara.
Afro dy vjet më vonë, në maj të vitit 2023, KPK e ka njoftuar sërish subjektin lidhur me njoftimin e dy viteve më parë. Këtë herë Alsula ka konfirmuar marrjen e njoftimit.
I pyetur në lidhje me vijimin e procesit të rivlerësimit, Alsula ka informuar se nuk ushtronte më funksionin e ndihmësit ligjor, pasi në dhjetor të vitit 2018 ishte miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm dorëheqja e tij dhe se në vijim është emëruar avokat shteti.
Ai ka paraqitur në Komision kërkesë për ndërprerje të procesit të rivlerësimit, për shkak të dorëheqjes nga detyra e ndihmësit ligjor. Po ashtu, është shprehur se nuk dëshiron të dëgjohet në seancë dëgjimore.
Nisur nga fakti se subjekti ka dhënë dorëheqjen, Komisioni vlerëson se ai e ka humbur statusin e ndihmësit ligjor. Në përfundim, KPK ka vendosur të aplikojë nenin G të Aneksit të Kushtetutës, duke deklaruar ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për ish-këshilltarin ligjor Dashamir Alsula dhe t’i ndalojë atij emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.