Fitorja ndaj Leipzig, Koopmeiners: Treguam forcën tonë, ky është Juventusi i vërtetë
Juventus triumfoi 2-3 ndaj Leipzig, në ndeshjen e vlefshme për Champions League. Edhe pse me karton të kuq, “Zonja e Vjetër” ia doli që të marrë 3 pikë në shtëpi. Teun Koopmeiners, mesfushori bardhezi u shpreh se skuadra, tregoi forcën.
Intervista për mediat:
Një fitore e pabesueshme…
Një ndeshje e vështirë, ku luajtëm me një lojtar më pak. Pas disavantazhit dhe dy dëmtimeve, pa llogaritur kartonin e kuq, u bë shumë e vështirë, por nuk dorëzohemi kurrë. Ne jemi një ekip që nuk duam të dorëzohemi, kjo është shumë e rëndësishme. Sidomos pas kartonit të kuq dhe golit të tyre për 2-1 ne donim të shtypnim lart, sepse kur qëndroni poshtë është e vështirë për të gjithë. Skuadra bëri shumë mirë, jam i lumtur sepse shënuam tre gola shumë të bukur.
Shtylla të ka ndalur edhe një herë…
Topi shkon te shtylla dhe traversa, por nuk jam i shqetësuar. Jam shumë i lumtur me fitoren, goli do të vijë patjetër, jam i sigurt. Dua të bëj gjithçka për ekipin.
A mund të jetë kjo fitore pikë kthese e sezonit?
Po, sepse duam të jemi një ekip shumë i fortë. Ne nuk duam të jemi të fortë vetëm në nivel teknik apo taktik, por edhe si grup. Sonte e patë që edhe pas kartonit të kuq fituam.
Pas lëndimeve, VAR-it dhe përjashtimit me të kuq u frikësuat…
Gjithçka dukej se ishte kundër nesh. Në fakt, duhet të kishim bërë më mirë në disa gjëra, kjo është e sigurt. Duhet të pranojmë vendimin e arbitrit dhe të ecim përpara, sot e bëmë këtë si grup. Kjo është shumë e rëndësishme. Kur ka vështirësi duhet të ngremë nivelin, sonte e bëmë këtë.
Keni arritur të kapërceni një disavantazh të dyfishtë…
Kjo është Liga e Kampionëve. Është gjithmonë e vështirë, veçanërisht kundër një ekipi si Leipzig, që ka lojtarë shumë të fortë teknikisht. Duhet të luajmë me intensitet dhe të jemi të fortë teknikisht e taktikisht. Është e rëndësishme të reagosh ndaj vështirësive, sepse është më e lehtë të luash kur ke epërsinë.
A keni pasur rastin të flisni me Bremerin?
Më vjen shumë keq që u dëmtua. Ai është një lojtar shumë i fortë dhe mbi të gjitha një njeri i madh. Ky është një moment shumë i vështirë për ekipin, por veçanërisht për të. Le të shpresojmë që të mos jetë një dëmtim shumë i rëndë. Është shumë e vështirë për ne dhe për të.