“Çmenduri” e United, i ndal edhe Porto, Ten Hag e shpëton…Maguire, trajneri: Mos na gjykoni tani
6 gola për 1 pikë, një “X” i çmendur 3-3 që i le një shije të hidhur dy ekipeve, Portos dhe Man.United. “Djajtë e kuq” dalin me kokën poshtë edhe në Evropë, pasi kjo ishte një sfidë që duhet ta kishin fituar në një kohë kur kryesonin 0-2 brenda 20 minutave, me Rashford dhe Hojlund që realizuan dy gola të shpejtë duke krijuar iluzionin se do ta zgjidhin lehtë këtë transfertë.
Porto nuk u dorëzua, fillimisht, 7 minuta më vonë ngushtuan shifrat me Pepe, ndërsa në minutën e 34-ët Samu me kokë barazoi rezultatin në 2-2. Porto nuk u mjaftuan me kaq, por me fillimin e pjesës së dytë, sërish Samu ndëshkoi portierin Onana duke kaluar ekipin portugez në avantazh.
Për herë të dytë radhazi, kapiteni Bruno Fernandes lë ekipin me dhjetë lojë, në minutën e 81-të u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Për të shpëtuar United dhe Ten Hag nga turpërimi mendoi Harry Maguire i cili në shtesë, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, me kokë barazoi shifrat në 3-3.
Ky “X” në këtë formë, mori vëmendjen e mediave angleze ku në faqen e parë gjejmë Ten Hag dhe Maguire: “Harry shpëton Ten Hag”, ishte titulli më i përzgjedhur në ishull.
Tekniku holandez është i vetëdijshëm se vijon të ec në “fije të perit”, por Ten Hag kërkon sërish kohë: “Mos na gjykoni në këto momente, na gjykoni në fund të sezonit. Ne jemi në proces dhe do të përmirësohemi. Mos harrojmë se në dy sezonet e fundit kemi shkuar në dy finale. Ne po punojmë të gjithë bashkë, po luftojmë të gjithë bashkë”, u shpreh Ten Hag.
()