Sun, Nov 24, 2024

Shtyhet rikthimi i Brojës, Sylvinho jep “alarmin”, në dyshim edhe Gjimshiti

  • PublishedOctober 4, 2024

Armando Broja ka qenë dhe mbetet një nga mungesat e mëdha të Sylvinho-s, me teknikun brazilian që e ka pasur në dispozicion “bomberin” kuqezi vetëm gjatë “Euro2024”. Pikërisht atëherë kur dukej se Broja ishte gati për t’u rikthyer sërish në fushë, një dëmtim në tendinën e Akilit e parkoi sërish në bokse, aq sa vendosi në dyshim edhe transferimin e tij tek Everton gjatë merkatos së verës.

Fillimisht u fol se Broja do të ishte në dispozicion të ekipit të ri gjatë muajit tetor, por trajneri Sylvinho sqaroi në konferencë për shtyp se Brojës i duhen edhe 5 javë të tjera për tu rikuperuar, pasi kishte biseduar me drejtuesit e Everton. Në këto kushte Broja mbetet në dyshim edhe për dy takimet e fundit në Ligën e Kombeve gjatë muajit nëntor.

Në dyshim të fortë për dy takimet kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë është edhe Berat Gjimshiti. Kapiteni kuqezi realizoi golin e tij të parë në Champions, por qëndroi në dhomat e zhveshjes në pushimin e pjesëve si pasojë e një shqetësimi i ije. Sipas mediave italiane, Gjimshiti është në dyshim për takimin e së shtunës kundër Geona-s pasi këtë të premte u stërvit në mënyrë të diferencuar. Në konferencën për shtyp, Sylvinho shtoi se nëse nuk luan për Atalanta-n këtë fundjavë nuk do të jetë në dispozicion të Shqipërinë për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve.

()

AlbaniaWeb.net