Sat, Oct 5, 2024

Masakër në Haiti, banda vret 70 persona, me tyre gra dhe fëmijë! Autoritetet, vështirësi për të hyrë në zonë

  • PublishedOctober 5, 2024

Dhjetëra njerëz, përfshirë tre foshnja, u vranë në një sulm bandash në qendër të Haitit, sikurse tha në një deklaratë Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Anëtarët e bandës Gran Grif përdorën pushkë automatike për të vrarë të paktën 70 persona të enjten, duke përfshirë 10 gra dhe tre foshnja.

Sulmi ndodhi në qytetin Pont Sondé, rreth 50 milje në veri të Port-au-Prince, ku dhuna e bandave ka vazhduar të përhapet, sipas OKB-së. Të paktën 16 persona u plagosën rëndë në sulm, duke përfshirë dy anëtarë të bandës të goditur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë Haitiane, tha OKB. Anëtarët e bandës i vunë flakën gjithashtu të paktën 45 shtëpive dhe 34 automjeteve, duke detyruar disa banorë të largohen.

Ministria e Shëndetësisë e Haitit, përmes një deklarate u shpreh se u mobilizua për t’iu përgjigjur incidentit, por u përball me sfida për të hyrë në vend për shkak të situatës së tensionuar. “Megjithësë në kushte jashtëzakonisht të vështira sigurie, viktimat e këtij sulmi po kujdesen nga institucionet vendore”, tha ministria.

Kryeministri i Haitit Garry Conille ofroi ngushëllimet e tij për të prekurit nga sulmi. “Ky krim i urryer, i kryer kundër grave, burrave dhe fëmijëve të pambrojtur, nuk është vetëm një sulm ndaj këtyre viktimave, por ndaj gjithë kombit Haitian”, tha ai.

Gran Grif është banda më e fuqishme në Artibonite, sipas OKB-së . Muajin e kaluar, Luckson Elan, lideri i supozuar i bandës, u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara për “shkelje serioze të të drejtave të njeriut duke përfshirë rrëmbimin, vrasjen, rrahjen dhe përdhunimin e grave dhe fëmijëve”.

Dhuna e bandave në Haiti është përhapur në vitet e fundit, me sulmet që janë bërë më të dhunshme. OKB raporton se të paktën 3.661 njerëz janë vrarë që nga janari i këtij viti.

Në qershor, forcat e huaja të sigurisë mbërritën në Haiti si pjesë e misionit Mbështetja e Sigurisë Shumëkombëshe (MSS), i projektuar për të ofruar siguri dhe për të rivendosur ligjin dhe rendin për kombin e Karaibeve.

Pas sulmit të së enjtes, OKB-ja bëri thirrje për ndihmë shtesë financiare dhe logjistike për MSS dhe kërkoi një “hetim të shpejtë dhe të plotë” mbi sulmin dhe “dëmshpërblime për viktimat dhe familjet e tyre”.



AlbaniaWeb.net