Prishja e një godine në Vlorë shoqërohet me protesta të banorëve të shpronësuar
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, IMT, në Vlorë shembi të enjten një objekt 2-katësh në lagjen Pavarësia, pasi pronarët e objektit ishin shpronësuar me vendim të qeverisë për t’i hapur rrugë ndërtimit të një rruge.
Por të shpronësuarit e kundërshtuan ndërhyrjen ata pretendojnë se vlera e shpronësimit është shumë më e ulët se vlera e pronës në zonë. Disa prej tyre bënë rezistencë ndaj IMT-së dhe u shoqëruar forcërisht në polici. Pronarët e shtëpive akuzojnë se pas veprimeve të IMT-së fshihet një projekt për ndërtim të një pallati në zonë dhe se shpronësimi i lë ata pa pjesë në këtë investim.
“Kam marrë 34 milion të vjetra, kur metri katror i ndërtimit këtu kushton 1800 euro se është vija e parë (para detit). Ka një leje ndërtimi këtu, po na prishën objektet për interesa të palëve të treta”, tha Spiro Trifoni, një prej banorëve të shpronësuar.
Por, Sipas bashkisë banesa dykatëshe, e ndërtuar që prej kohës së regjimit komunist do të prishet sepse aty do kalojë një rrugë. Bashkia e Vlorës tha në një sqarim për rastin se të 7 familjet kishin rënë dakord me zbatimin e projektit dhe janë shpronësuar sipas ligjit, madje një pjesë e tyre ka kryer edhe tërheqjen e vlerës monetare. “Të 7 familjet kanë rënë dakord me zbatimin e projektit. Janë shpronësuar dhe një pjesë e tyre ka kryer edhe tërheqjen e vlerës monetare. Disa prej familjeve edhe pse kanë firmosur janë bërë pishman për shkak të vlerës”, thuhet në sqarimin e bashkisë.
Kundërshtimi i dy familjeve dhe protesta e tyre bëri që godina të rrethohej fillimisht nga forcat e policisë dhe më pas IMT e prishi atë.
Ky objekt gjendet në vijën e parë të ndërtimeve në Lungomare për të cilat kërkesa për blerje pronash është e lartë. Ndriçim Meminaj , agjent imobiliare sqaron se kjo është zona më ekskluzive në Vlorë dhe çmimet në vijën e parë të bregdetit variojnë nga 1500- 2200 euro/m2.
Vendimi i qeverisë për shpronësimin e familjeve që jetonin në godinë, u njeh atyre një vlerë prone prej 77,514 lekësh të reja për metër katrorë.
Ky rast i protestave pas shpronësimeve është i përsëritur. Qeveria e Shqipërisë përdor për dëmshpërblimet e shpronësimit vlera të përcaktuara në çmimet e referencës, që janë shumë herë më të ulëta se sa ato të tregut. Në dhjetra raste, shpronësimet për punë publike janë shoqëruar me protesta masive, ndërsa banorët ankoheshin për çmime të padrejta. Në mjaft raste, qeveria shqiptare i vonon edhe pagesat e dëmshpërblimeve që i ka caktuar vetë.