Frankfurt i “ngrin” buzëqeshjen bavarezëve, Kompany nuk e bën dramë: Të fokusohemi tek sinjalet pozitive, mund të përmirësohemi
Barazim spektakolar ishte ai i zhvilluar të djelën në Frankfurt, mes vendasve dhe Bayernit të Mynihut. Bavarezët panë të humbnin mundësinë e marrjes së 3 pikëve vetëm në fund të ndeshjes, duke sfumuar mundësinë për të thelluar diferencën me ekipet ndjekëse, të cilat kishin lënë pikë më herët. Pjesa e parë ishte spektakolare teksa miqtë gjetën avantazhin shumë shpejtë në të 15 min me Kim Min-Jae, por vendasit ditën të reagonin menjëherë teksa Marmoush dhe Ekitike përmbysën shifrat. Barazpesha erdhi 7 minuta nga fundi i pjesës së parë me anë të mbrojtësit Upamecano.
Fraksioni i dytë nisi sërish më mirë për të besuarit e Vincent Kompany, të cilët gjetën sërish avantazhn me sulmuesin francez Michael Olise. Bavarezët i’a dolën të ruanin avantazhin pavarësisht këmbënguljes së vendasve. Këmbëngulje që u shpërbly vetëm në fund. Teksa në minutën e 4 shtesë sërish Marmoush vendosi ekuilibrin, duke barazuar në 3-3. Një pikë që e mban sërish Bayernin në vendin e parë me 14 pikë, por vend të parë që duhet ta ndajnë me Leipzig. Ndërkohë që Frankfurt ngjitet vendin e 3 me 13 pikë, duke lënë pas ekipe të rëndësishme si kampionët në fuqi të Leverkusen apo Borussian e Dortmundit.
Në përfundim të sfidës, tekniku belg i bavarezëve Vincent Kompany e komentoi kështu këtë barazim: Kemi luajtur dy ndeshje ndaj dy ekipeve shumë të forta, Leverkusen që vitin e shkuar grumbulloi 90 pikë si dhe ndaj një ekipi si Frankfurt që në shtëpi janë shumë të fortë. Kemi marrë atë që meritonim në të dyja sfidat. Sigurisht ka gjëra negative siç janë golat e pësuar, por ne trajnerët kemi për detyrë të fokusohemi tek sinjalet pozitive që morëm në këto ndeshje e të shohim përpara. Nuk mund të them se sot nuk jam krenar për këtë skuadër. Shpresoj të përmirësohemi në ndeshjet e ardhshme.