Kosova rrit me 20 % pensionet, nga janari rritje 20% edhe për kategoritë e luftës!
Duke nisur nga ky muaj, pensionet në Kosovë rriten me 20% e pohuar kjo nga kryeministri Albin Kurti. Shefi i ekzekutivit në Prishtinë sqaroi se kjo rritje do të përfshijë të gjitha kategoritë e pensioneve.
“Duke filluar nga ky muaj do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet: pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut – pagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, pensioni për personat paraplegjik dhe tetraplegji, pensioni familjarë, pensioni invalidor i punës, dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.”- u shpreh Kurti.
Kurti shtoi se nga janari i vitit 2025 do të rriten me 20 për qind edhe pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale, viktimave civile dhe familjeve të tyre. Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti zbatohet prej vitit 2014. Sipas Ministrit të Financave të Kosovës, mbi 300.000 pensionistë do të përfitojnë nga kjo rritje.
Ai tha se buxheti i përgjithshëm i tërë skemave pensionale është rreth 500 milionë euro për vit fiskal, ndërsa do të ndahen edhe 100 milionë euro shtesë vjetore pas kësaj rritjeje. Pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për atë të tretë 256 euro dhe për atë të katërt 318 euro.
AlbaniaWeb.net