Tue, Nov 26, 2024

Protesta e opozitës/ Blindohen institucionet shtetërore! Garda dhe forcat “Shqiponja” vendosen në kryesinë e Kuvendit

  • PublishedOctober 7, 2024

Disa prej institucioneve shtetërore janë marrë në mbrojtje nga policia, ndërsa ka mbetur ende 1 orë nga nisja e protestës së opozitës.

Dera e Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit është blinduar, për të parandaluar përshkallëzimin e protestës.

Gjithashtu para Kryeministrisë është hequr edhe instalacioni i kërpudhës, për të shmangur dëmtimin e saj si në protestat e shkuara.

Kamerat e sigurisë me rezolucion të lartë janë shtuar, ndërsa shtyllat në të cilat ato janë vendosur, janë lyer me graso në mënyrë që të mos ngjiten protestuesit dhe t’i shkatërrojnë.

Nga ana tjetër policia ka hartuar prej ditës së djeshme planin e masave, ku janë caktuar edhe akset në kryeqytet që do të bllokohen.

Ditën e sotme 1200 forca policia “kanë zbritur në terren”, për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Edhe në këtë protestë, lideri i PD, Sali Berisha, do të marrë “pjesë” nga shtëpia e tij, ku ndodhet nën masën e arrestit.



AlbaniaWeb.net