Rrëfimi ‘pa dorashka’ i Majlinda Kelmendit: Kam munguar në ditëlindjet e prindërve
Ish-xhudistja, Majlinda Kelmendi ka rrëfyer vështirësitë me të cilat ajo është përballur gjatë kohës që ishte aktive në xhudo. Në një intervistë, ajo ka thënë se karriera i ka kushtuar jetën familjare pasi ka munguar në shumicën e datave të rëndësishme në familjen e saj.
“Nuk kam shkuar në asnjë dasmë apo fejesë. Babai i ka 71 vjet ndërsa nëna gati 70 dhe unë kam munguar në këto vitet e fundit në pjesën më të madhe të ditëlindjeve të tyre. Kam dalë shumë pak, madje as në restorant nuk kam shkuar, njerëzit kanë pasur shumë pritshmëri prej Majlindës dhe unë këtë e kam ditur. Kam sakrifikuar shumë gjatë karrierës, kam pasur një karrierë 22-vjeçare, sidomos ato 15 të fundit kanë qenë shumë intensive”
Po ashtu, ajo ka prekur edhe temën e refuzimit të milionave për ta përfaqësuar Kosovën, e po ashtu komentoi edhe ofertën që kishte nga Kazakistani.
“Edhe sot njerëzit vazhdojnë të më pyesin se si i kam refuzuar milionat, mënyra se si më shohin njerëzit ajo as nuk blihet e as nuk shitet. Derisa je garues gjithmonë duhet ta kesh parasysh se mund t’iu vijnë lëndimet, janë pjesë e rrugëtimit dhe ndoshta vijnë në momentin më të keq për ty, nuk i pret asnjëherë. Nuk e di unë si do të isha ndjerë ose a do ia kisha falur vetes nëse do kisha shkuar në vitin 2015 në Kazakistan dhe do ta kisha marrë medaljen e artë olimpike për Kazakistanin”