Sat, Nov 23, 2024

Kryemadhi depoziton nismën në Kuvend, kërkon t’i marrë Metës 10% nga fondi që Partia e Lirisë merr nga buxheti i shtetit

  • PublishedOctober 8, 2024

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka depozituar në Kuvend e cila parashikon që të paktën 10% e financimit publik që përfitojnë partitë politike t’u kalojë në mënyrë të drejtpërdrejtë grave brenda partisë politike.

Kjo sipas Kryemadhit i dedikohet fuqizimit të vajzave dhe grave brenda partisë përkatëse.

Në shkresën drejtuar kryearlamentares Elisa Spiropali  shkruhet se raportimi pranë KQZ-së në lidhje me shpenzimet që i përkasin kësaj shume, bëhet në mënyrë të ndarë nga pjesa tjetër e financave për të cilat raporton partia politike përkatëse.

Shtimi i kësaj pike në ligjin për “Partitë Politike” mundëson një kuotë apriori, e cila përcaktohet me ligj dhe dedikohet specifikisht për gratë dhe vajzat brenda partisë politike, duke e bërë të detyrueshëm kalimin e tyre automatik në përdorim të strukturave të grave të partive.

Gjithashtu parashikon raportimin në mënyrë të ndarë të shpenzimeve përkatëse pranë KQZ për të evituar përdorimin e kësaj shume të financimit publik, përtej parashikimeve të këtij ligji.

Nuk dihet nëse kjo nismë e ndërmarrë nga Kryemadhi lidhet me procesin e divorcit mes saj dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ish- presidenti njoftoi në qershor se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, pas 26 vitesh martesë e akoma më shumë vite të një bashkëjetese politike.

Prej disa muajsh Meta nuk jeton në shtëpinë e familjes.

Edhe në kërkesën për divorc, ai paraqiti si adresë personale, atë të Partisë së Lirisë. Tronditja e marrëdhënieve mes tyre u shpërfaq dhe publikisht, kur riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë, la jashtë tyre Kryemadhin.

Të dy nuk ngurojnë të tregojnë herë pas here momente nga jeta e tyre private, ndërsa shijojnë fundjava në natyrë, të ndarë nga njëri-tjetri.



AlbaniaWeb.net