Sun, Nov 24, 2024

VIDEO/ Asllani vendos në Tbilisi, triumf zemre i Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë

  • PublishedOctober 14, 2024

Shqipëria triumfon 0-1 ndaj Gjeorgjisë, duke marrë 3 pikë të rëndësishme në Nations League. Sfida nisi me ritëm të lartë, teksa kuqezinjtë u shfaqën të rrezikshëm që në fillim. Laçi provoi nga distanca, duke lëshuar kështu sinjale të qarta.

Të besuarit e Sagnol u kundërpërgjigjën menjëherë me Zivzivadze, që shkaktoi “drithërima” te ekipi i Sylvinhos.
Në minutën e 12-të, Strakosha u thirr në apel, portieri i tha “jo” Davitashvilit. Pas çerek ore lojë, Tuci “flirtoi” me golin, gjuajtja e tij u prit nga “gardiani” Mamardashvili.

Në minutën e 29-të, një gabim në një top të dhënë keq nga Strakosha mund të ishte fatal, nëse Mikautadze do tregohej më i saktë.

Kvara u fut bukur në zonë në të 44-tën, duke detyruar prapavijën kuqezi që të ndërhyjë, për të dërguar sferën jashtë.

Në fillimin e pjesës së dytë, Asllani ndezi festën mysafire, duke kaluar në avantazh Shqipërinë.

Kvara me shokë shtuan presionin dhe zhvendosën përfaqësuesen tonë në gjysmëfushën e vet. Në kundërsulm Shqipëria mund të mbyllte llogaritë, por e majta e Seferit ishte e dobët.

Me këtë sukses, kombëtarja renditet në vendin e 3-të me 6 pikë, po aq sa Çekia dhe Gjeorgjia kryesuese, por që penalizohemi për çështje golavarazhi.

 

 

(J.S/)

AlbaniaWeb.net