“Armët” e Partizanit, të kuqtë nuk i falin transfertat
Partizani në këtë sezon ka shfaqur luhatje dhe ka treguar pika të dobëta, por nga ana tjetër të kuqtë kanë edhe pika të forta që i kanë ndihmuar të jenë në krye pas tetë javësh në Kategorinë Superiore dhe “të çimentojnë” kandidaturën për titullin kampion.
Duhet thënë se në dy sezonet e mëparshme të kuqtë një herë janë shpallur kampion dhe një herë nënkampion, pasi kanë humbur ndeshjen finale. Kjo tregon për një konsistencë, pavarësisht se mund të ketë qenë mundësia për të krijuar diferencë me rivalët dhe për të nisur një cikël të ngjashëm me Ballkanin e Dajës në Kosovë.
TRANSFERTAT – Kalendari ka rezervuar tri transferta radhazi për Partizanin në ndeshjet e radhës, çka tregon për një tur force për të kuqtë, për më tepër që ndeshjet luhen ndaj rivalësh direkt. E radhës është kundër Elbasanit, i sapongjitur në Superiore, por me potencën e skuadre që mund të zërë vend në katërshe. Më pas në radhë janë Vllaznia dhe Skënderbeu. Por muajt e fundit kanë treguar se Partizani di si t’ia dalë larg shtëpisë, jo vetëm këtë sezon, por edhe në atë të shkuarin. Humbja e fundit për të kuqtë në transfertë është kundër Egnatias në muajin prill, në një ndeshje kur u mposhtën me shifrat 2-1.
Për rrogozhinasit shënonte dopietë Montenegro, ndërsa rrjetën e Partizanit e realizonte Skuka. Pas asaj ndeshjeje të kuqtë kanë luajtur edhe pesë transferta të tjera në Superiore, ku kanë fituar katër dhe kanë barazuar një ndeshje. Në fundin e sezonit të shkuar Partizani fitoi derbin me Tiranën, me këta të fundit si pritës, dhe mposhti Kukësin. Në këtë edicion kanë luajtur tri ndeshje si ekip mik. Fillimisht mposhtën pastër 0-2 Teutën, më pas barazuan 1-1 me Laçin, para se të mposhtnin 0-2 Egnatian, si hakmarrje për humbjen e finales së titullit. Kjo ecuri është tregues i qartë se të kuqtë nuk ndikohen aspak nga efekti fushë dhe këtë me siguri do ta kenë parasysh edhe elbasanasit në ndeshjen e radhës.
“VRASËS” NË LIMITE – Një tjetër pikë e fortë për Partizanin janë minutat e fundit. Të kuqtë edhe në këtë sezon kanë treguar se dinë të ruajnë ritmin e ndeshjes dhe të shfrytëzojnë shpërqendrimin apo lodhjen e kundërshtarëve në minutat e fundit. Nga dhjetë gola të shënuar gjithsej, skuadra e Veselinoviç katër i ka shënuar pas minutës së 75-të. Dy të tjerë kanë ardhur në fashën orare të minutave 60′-75′, çka tregon se në pjesën e dytë të kuqtë janë shumë të rrezikshëm dhe dinë të bëjnë dëme.