‘Kushti’ i SHBA: Që Kosova të bëhet pjesë e programit të NATO-s, duhet të përparojë në dialog!
Shtetet e Bashkuara do të donin që Kosova të bëhet pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, por ajo duhet së pari të shënojë përparim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka thënë të mërkurën ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, i cili synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.
Ai shërben edhe si rrugë për ato vende që synojnë që një ditë të bëhen pjesë e NATO-s.
“Ne, gjithsesi, e vlerësojmë programin e Partneritetit për Paqe. Jemi të kënaqur që kemi parë interes të madh nga Kosova për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë i kanë dëgjuar thirrjet tona të zëshme dhe të qarta. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian“, tha Smith.
Duke folur para gazetarëve në prag të takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, Smith tha se një angazhim të tillë fuqishëm e mbështesin aleatët edhe në NATO edhe në BE.
“Por, në këtë moment fokusi ynë është në rritjen e stabilitetit në rajon dhe duke e bërë këtë të kërkojmë progres edhe në iniciativën e udhëhequr nga BE“, ka thënë ambasadorja Smith.
Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, porse rreth një vit e gjysmë më vonë, ato kritikohen për moszbatimin e saj.
Kosova vazhdimisht ka shprehur interesim për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa synon edhe anëtarësimin në NATO si qëllim strategjik të vendit.
Vendimet në NATO, përfshirë edhe ato për të pranuar vendet në programin e Partneritetit për Paqe, merren njëzëshëm nga të gjitha vendet anëtare.
Nga 32 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 28 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo.
Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë në Partneritet për paqe, ndërsa vendet tjera tashmë janë bërë anëtare të NATO-s.
Aktualisht, NATO-ja është e pranishme në Kosovë përmes misionit të saj, KFOR./REL
AlbaniaWeb.net