Sat, Nov 23, 2024

Çezmat publike, një nevojë e harruar në Durrës

  • PublishedOctober 17, 2024

Çezmat publike kanë munguar prej kohësh në Durrës, por vera e nxehtë e këtij viti dhe numri i madh i turistëve e bënë edhe më të ndjeshme këtë mangësi. Megjithë shqetësimin e shoqërisë civile, autoritetet vendore deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë hap pozitiv në këtë drejtim.

Leart Berisha, nxënës në një nga shkollat e mesme të qytetit, u bë nismëtar i kontakteve të para me përfaqësuesit e bashkisë dhe të Ujësjellësit.

“Ata pritën mirë propozimet tona dhe premtuan se do të vendosin dy çezmat e para, në Stacionin e autobusëve interurbanë dhe në sheshin e Mauzoleut të Dëshmorëve,” tha Learti për BIRN. Por sipas tij, që nga dhjetori i kaluar deri tani nuk ka pasur asnjë ndryshim në terren.

Harta e bashkisë së Durrësit, me 62 kilometra bregdet dhe ambicie për zhvillimin e turizmit, prej kohësh është e thatë.

Gjiri i Lalzit dhe fshatrat e hotelet përreth janë e vetmja zonë që furnizohet 24 orë me ujë. Për pjesën tjetër të territorit, Ujësjellës Kanalizime Durrës bën të ditur zyrtarisht se furnizimi është i kufizuar. Zonat rurale marrin 1-2 orë ujë në 24 orë, ndërsa qyteti me numrin më të madh të popullsisë furnizohet çdo ditë për 3-8 orë, sipas zonave.

Mikel Basha, i cili prej vitesh jeton në një qytet të vogël turistik bregdetar në Itali, kujton se dekada më parë në Durrës kishte burime uji si “Tre Çezmat”. “Ishin tre tuba uji që na freskonin, por ndonjëherë edhe shuanim etjen,” kujtoi Mikeli, i cili ka kryer shërbimin ushtarak pranë këtij burimi.

Në rrugën “Taulantia”, një rubinet i instaluar më herët u përdor për 15 vjet si çezmë publike. “Banorët dhe kalimtarët e përdorën për ujë të pijshëm,” kujtoi Remziu, administratori i një pallati. “Çezma u mbyll vitin e kaluar pas ndërhyrjes së Ujësjellës Kanalizime,” shtoi ai.

Qyteti i lashtë i Durrësit ka pasur historikisht një marrëdhënie të vështirë me ujin e pijshëm. Që nga fillimi i viteve 1970, ai furnizohet nga Fushë Kuqe e Kurbinit, 50 km në veri. Aleksandër Cangonja ka ngritur shqetësimin për mungesën e çezmave publike edhe në Këshillin Bashkiak, ku ka qenë anëtar, por sipas tij, ky konsiderohej një problem i parëndësishëm.

“Ato emërtoheshin kryesisht sipas zonave apo familjeve pranë të cilave ndodheshin, dhe nga toponimia e djeshme janë ruajtur disa emërtime domethënëse si ‘Çezma e Ferrës’ apo ‘Tre Çezmat’,” tha Cangonja. Ai risolli nga libri i Aristidh Mimës për Durrësin e vitit 1938 emrat e disa burimeve të tjera, si “Çezma e kishës së Shën Spiridhonit”, ajo e Merkatos së vjetër, “Çezma e kodrës së Moisiut”, etj.

Në fund të viteve ’30, qyteti kishte 14 çezma publike, edhe pse jo të gjitha kishin ujë të pijshëm. “Një çezmë në qendër të Durrësit duket se ka pasur burim edhe një pus i zbuluar 5-6 metra larg nga godina e bashkisë,” shtoi ai.

Gjatë dy shekujve të fundit, puset familjare kanë luajtur një rol të rëndësishëm në furnizimin me ujë të qytetit. Ekspeditat arkeologjike në 15 vitet e fundit kanë zbuluar puset pranë mureve të amfiteatrit. “Puset në Durrës janë ndërtuar për furnizim alternativ në oborre gjatë shekujve 18-19,” tha Brikena Shkodra, drejtuesja e misionit arkeologjik, e cila theksoi se këto burime ishin familjare, por mund të përdoreshin edhe nga banorë të tjerë.

“Dy puse të tjerë, një prej të cilëve i përket periudhës osmane, u zbuluan në fillim të këtij muaji gjatë misionit arkeologjik pranë Forumit rrethor, prapa pallatit të kulturës,” shtoi Shkodra.

Në Durrësin e sotëm nuk ka puse dhe çezma publike. Përpjekjet e autoriteteve për të zgjidhur problemin janë minimale. Të vetmet çezma të instaluara kohët e fundit nga Ndërmarrja Komunale janë në parcelën e re që iu shtua varrezës së qytetit, por edhe ato ende nuk kanë ujë.

Leart Berisha, 17 vjeç, tha se që nga dhjetori i kaluar, kur protokolluan propozimin e tyre në bashki, ai dhe shoqata “Shkëndija” nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “Tani po shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit me kompanitë e filtrave të ujit,” tha ai. “Ne mendojmë se ata, përveç kapaciteteve të biznesit, kanë edhe interes për promovimin e sipërmarrjeve të tyre,” përfundoi ai.