Tuchel “përçan” Anglinë, Rooney kundër Federatës, por gjermani merr “bekimin” e Guardiola-s: Nuk ka rëndësi nënshtetësia
Në Angli çështja “Tuchel” vijon të bëjë shumë zhurmë, ku zgjedhja e Federatës Angleze për t’i besuar stolin teknikun gjerman ka ndarë opinionin në ishull. Në këtë diskutim është përfshirë edhe Pep Guardiola, kjo pasi emri i tij u lakua shpesh si pasuesi i Southgate, ishte një nga kandidatët kryesor, dëshira më e madhe e drejtuesve të Federatës, por Pep me shumë klas shmangu këtë hipotezë duke i bërë komplimente për zgjedhjen e Tuchel:
“Thomas Tuchel është trajneri i ri, më duhet t’i bëj komplimentet e mija Federatës Angleze. Kjo është një detyrë e rëndësishme, i uroj atij më të mirat. Federata zgjodhi një trajner të huaj me shumë eksperiencë. Nuk ka rëndësi nënshtetësia, nëse ai fiton do të përkëdhelet, në të kundër do të kritikohet. A do të ulem një ditë në stolin e një ekipi përfaqësues? Po, do të më pëlqente në të ardhmen”.
Si një i huaj në ishull, për Guardiola-n nuk përbën lajm emërimi i Tuchel në krye të Angli, por ky vendim nuk është pritur mirë nga një legjendë si Wayne Rooney:
“Është një surprizë për mua. Tuchel është një trajner i mirë, por jam i befasuar me këtë vendim të Federatës. Në 10-15 vitet e fundit, Federata la ndërtuar një platformë me trajner të ri anglez, prisja që t’i besonin një prej tyre. Gjithsesi, ata morën këtë vendim, i uroj fat, shpresoj që të bëjë më të mirën për vendin tonë”.
Ndryshe nga Rooney, futbollistët aktiv të përfaqësueses angleze, nga Harry Kane te Walker e kanë pritur mirë emërimin e Thomas Tuchel në stolin e “Tre Luanëve”.
()