Turistët jashtë sezonit! Vazhdojnë prenotimet në Durrës, operatorët investojnë më shumë në cilësi
Shqipëria vazhdon të jetë një nga destinacionet më joshëse për pushime, edhe në mes të tetorit, ndërsa prenotimet janë të kënaqshme dhe për javët në vazhdim.
Durrësi është plot me turistë që vijnë në grupe ose individualisht për të shijuar gjithçka ai ofron edhe jashtë sezonit.
“Jemi nga Franca dhe zgjodhëm tetorin si mundësi të vetme që kishim për pushime. Nuk kishim dëgjuar më parë për Shqipërinë dhe donim të dinim si ishte. Është dita e dytë në Durrës. 5 ditë qëndruam në Tiranë dhe u kënaqëm. Gjithsesi e mendonim me një natyrë më të egër, jo me kaq shumë turistë dhe ndërtesa”.
“Pashë në youtube një djalë japonez që kishte qenë në Shqipëri dhe erdha. Jam nga Japonia. Kam qëndruar një javë këtu, por nuk kam parë turistë aziatikë të tjerë, vetëm europianë.
“Jemi franceze. Koha është mrekulli. Në Paris bie shi. Këtu mrekulli.”
“Do të qëndrojmë 10 ditë, kryesisht në plazh. Jemi nga Laipzig, Gjermani dhe është shumë bukur këtu.”
“Dëgjuam nga miqtë se vendi ishte i këndshëm dhe njerëzit shumë miqësorë dhe vendosëm të vijmë.. Jemi nga Gjermania dhe Austria. Është dita e dytë këtu.”
Të kënaqur nga fluksi i vizitorëve, operatorët turistikë po përqendrohen në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe përmirësimin e ofertave turistike.
“Turistët që vijnë janë shumë të kënaqur dhe na rendisin ndër vendet më të mira të rajonit përsa i përket klimës, mikpritjes dhe vlerave që kemi. Si operator turistikë dhe si shoqatë e turizmit nuk jemi marrë me numrat, po ky vit është më mirë se vjet. Jemi fokusuar në rritjen e standardit të shërbimeve dhe prezantimit sa më të mirë që ata të kthehen sërish në Shqipëri. Çdo vit rrisim më shumë cilësinë dhe standardet në turizëm”, tha Eduard Xhepa, Kryetar i Shoqatës së Turizmit, Durrës.
Çmimet më të favorshme të kësaj periudhe e bëjnë destinacionin edhe më tërheqës për turistët, ndërsa në vazhdën e një turizmi të qëndrueshëm operatorët turistikë në Durrës kërkojnë një bashkëpunim më efektiv me Qeverinë.
AlbaniaWeb.net