Sun, Nov 24, 2024

Pse është problematike marrëveshja Gjermani-Serbi për prodhimin e litiumit?

  • PublishedOctober 21, 2024

Marrëveshja për nxjerrjen e litiumit me Serbinë është më shumë lajm i mirë për zhvillimin ekonomik në Gjermani, apo lajm i keq për mjedisin në Serbi? “Në fakt, të dyja”, thotë profesoresha Claudia Kemfert, një ekonomiste që merret kryesisht me energjinë dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Është mirë që Gjermania të zvogëlojë varësinë e saj nga Kina, e cila aktualisht ka monopol në të gjithë zinxhirin e prodhimit të litiumit. Por nga ana tjetër, është e keqe për mjedisin në Serbi, sepse nxjerrja e litiumit vjen me rreziqe mjedisore. Aktivistët e mjedisit me të drejtë theksojnë këtë. Më parë kishte një moratorium, domethënë u tërhoq licenca (për minierat). Dhe më pas ky vendim u anulua. Kjo është shqetësuese”, thotë Kemfert.

“Gjermania duhet të ushtrojë ndikim”

Marrëveshja me Serbinë e nënshkruar nga Scholz dhe Vuçiç është problematike për dy arsye: “Së pari, për shkak se ne nuk mund të eksportojmë problemet tona mjedisore. Dhe dy, duhet të kemi kujdes nga kush bëhemi të varur.” Ekspertja thotë se “është mirë nëse jemi më pak të varur nga Kina, por nga ana tjetër, në rastin e Serbisë, duhet përmendur edhe problemet siç është liria e shtypit, apo dhe fakti që ajo nuk i mbështet sanksionet ndaj Rusisë”.

Kemfert beson se është e mundur të sigurohet respektimi i standardeve mjedisore përmes procesit të çertifikimit të minierave dhe prodhimit në Serbi. Por edhe duke ushtruar presion ndaj autoriteteve serbe. “Gjermania duhet të ushtrojë ndikim tek Serbia. Një çështje tjetër është nëse kjo do të japë fryte. Por duhet provuar, sepse Gjermania nuk mundet thjesht t’i eksportojë problemet e saj mjedisore diku tjetër. Përndryshe, ajo do të duhet të nxjerrë vetë litium në Gjermani”, shton Kemfert, që drejton edhe Departamentin për Energjinë, Transportin dhe Mjedisin në Institutin Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW Berlin), e ajo është edhe profesore në Universitetin Leufana në Lüneburg.

Rezervat e litiumit në Gjermani më pak se në Serbi?

Ajo pretendon se rezervat e litiumit në Gjermani nuk janë aq të mëdha sa në Serbi dhe shton një arsye tjetër pse Gjermania po kërkon litium jashtë vendit të saj është: “Këtu kemi standarde të larta për mbrojtjen e mjedisit, për të cilat në vendet e tjera nuk kujdesemi si këtu. Kjo do të thotë se shumë projekte nuk japin fare rezultat ose duhet shumë kohë për të marrë lejet. Ka mjaftueshëm litium në botë, nuk ka mungesë, prandaj fokusi është në tregun botëror, tek importi.

Naiv ndaj Vuçiçit?

Në pyetjen nëse kancelari Olaf Soltz është naiv në raport me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ashtu siç ishte ish-kancelarja Angela Merkel me presidentin rus Vladimir Putin, bashkëbiseduesja jonë thotë se Gjermania nuk është më aq naive. “Duhet thënë qartë se Serbia nuk mund të krahasohet me Rusinë. Bëhet fjalë për ndikim dashamirës, ​​miqësor ndaj Serbisë për t’iu përmbajtur qëllimeve dhe standardeve mjedisore. Në fund të fundit, Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, kjo është ajo që ne të gjithë duam dhe ne duhet të ndjekim atë rrugë të përbashkët”./ DW



AlbaniaWeb.net