“U kap te timoni i makinës”, Karamuço zbulon detaje nga arrestimi i Metës: Ishte agresiv dhe shante efektivët, mund të ketë kallëzim për…
Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço ka zbuluar detaje nga momenti i arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta, në një aksion në rrugë, te ‘kthesa e Kamzës’.
Eksperti tregon kreu i Partisë së Lirisë është ndjekur gjatë gjithë kohës deri sa është afruar në Tiranë dhe jo afër qendrës që mos krijoheshin më shumë trazira dhe se efektivët janë prezantuar si të tillë, ndryshe nga çfarë deklaroi dëshmitari. Karamuço hodhi poshtë gjithashtu deklaratën se policët kanë pasur automatik.
“Është zgjedhur vendi ku është rënduar trafiku, është bërë bllokimi. Policët janë të identifikuar, janë prezantuar si të tillë. U kanë dhënë vendimin e gjykatës për shoqërimin e tyre në polici. Nuk ka as automatik, t’i lëmë këto filmat e Netflix-it”, tha eksperti.
Sipas Karamuços, Meta është treguar agresiv ndaj efektivëve të policisë dhe se ka bërë rezistencë, ndërsa “mund të ketë edhe një kallëzim për zotin Meta për sjelljen agresive ndaj policisë”.
“Ka kapur dorën te timoni dhe ka refuzuar të dalë nga makina. Është paralajmëruar disa herë që dil sepse do të nxjerrim me forcë dhe nuk ka pranuar. Ka shkelmuar edhe derën. Ka qenë agresiv, të shajë dhe ofendojë gjithë kohën. Sa herë nervozohet e humb kontrollin”, thotë ai.
Përsa i përket kamerave, Karamuço thotë se “personat që kanë krijuar perimetrin e makinës nuk kanë pasur kamera. Është vetëm një kamera që nuk ka audio ajo e vëzhgimit mbrapa, është gati 3-4 minuta. Ato pamje mund t’i shërbejnë prokurorisë”.
AlbaniaWeb.net