Tue, Oct 22, 2024

E PLOTË/ Pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie, Ilir Meta pas hekurave! Si policia ndoqi kreun e PL-së, e më pas…

  • PublishedOctober 22, 2024

Një aksion policor i forcave speciale solli ditën e djeshme arrestimin e ish-presidentit dhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Mesditën e djeshme Meta u kap në zonën pranë Casa Italia-s, teksa po kthehej së bashku me shoferin e tij nga Kosova. Kreu i PL-së ka bërë rezistencë gjatë kohës së arrestimit, e më pas policia e ka nxjerrë me forcë nga makina.

Ish-presidenti akuzohet për tre raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Meta ka deklaruar se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, çështje me të cilat është marrë, sipas tij, bashkëshortja Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka po ashtu një hetim pasuror nga SPAK-u.

Burime të gazetares së AlbaniaWeb.net, Anila Hoxha thanë se policia e ka ndjekur rrugës dhe civilët kur e kanë ndaluar i kanë thënë se ka një masë sigurie operacioni dhe do t’ju shoqërojmë në polici.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua me urdhër të SPAK mesditën të hënës në Tiranë.

Përveç arrestimit të Metës, janë lëshuar masa “detyrim paraqitje” për Ema Çoku dhe për Monika Kryemadhin, ndërsa ndaj Pirro Xhixhos (Babai Erisa Xhixhos) është vendosur masa “arrest në shtëpi”.

Xhixho konsiderohet si personazhi që ka ndihmuar për pastrimin e parave. Çoku konsiderohet si bashkëpunëtore dhe mike e afërt e Metës dhe Kryemadhit.

Meta është paraqitur me parë në dyert e SPAK ku ka folur për dosjen Cez-Dia. Po ashtu në vitin 2022, Meta është kallëzuar në SPAK ndaj ish-deputeti Halit Valteri.



AlbaniaWeb.net