Sun, Nov 24, 2024

Reijnders bën “djallin”, por Brugge tremb Milan, Fonseca “ndëshkon” Leao-n

  • PublishedOctober 23, 2024

Një fitore 3-1 në Champions është një arsye e fortë për të festuar, por Milan kapet fort pas pikëve, pasi në fushë ekipi i Fonseca-s vuajti jashtëzakonisht shumë kundër Brugges, me belgët që trembën “djallin” brenda në “San Siro”.

U desh një gol i veçantë, me shumë fat i Pulisic për të zhbllokuar ndeshjen, me amerikanin që dërgoi topin në rrjetë drejtpërdrejtë nga goditja e këndit. Jo vetëm kaq, por në fundin e pjesës së parë, Milan e pa veten në superioritet numerik pasi Brugge mbeti me 10 lojtarë.

Pavarësisht këtij detaji, miqtë u rikthyen në lojë në minutën e 51-të, me Sabbe që barazoi shifrat në 1-1. Fonseca ndërhyri në formacion duke larguar Loftus-Cheek dhe Leao, me Okafor dhe Chukwueze që rezultuan dy lëvizje të gjetur pasi ndryshuan totalisht rrjedhën e takimit.

Stafetën e mori Reijnders, me holandezin që u shërbye në zonë në minutën e 61-të, me një goditje të saktë riktheu Milan në avantazh. Me një aksion thuajse të ngjashëm në minutën e 71-të, Reijnders këtë herë u shërbye nga Chukwueze duke kompletuar “dopietën” e tij personale dhe golin e tretë për kuqezinjtë që i dhuroi fitoren e parë në këtë edicion të Champions League:

La Gazzetta
La Gazzetta

“Goditje prej djalli. Del Leao, futen Okafor e Chukwueze që tërbojnë Reijnders”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. I kënaqur për këtë 3-pikësh u shfaq dhe trajneri Fonseca: “Zhvilluam një ndeshje pa intensitet, ishim të lehtë në qarkullim e topit, por futja e Okafor dhe Chukwueze ndryshoi ndeshjen, sollën energji të tjera. Pas golit të dytë bëmë gjëra të mira. Leao? Nuk ka asgjë problem specifik me të. Zëvendësimi nuk ishte një ndëshkim”.

AlbaniaWeb.net