Inside Story/ “Presioni i dekonspirimit dhe identifikimi”, a u cenuan procedurat gjatë shoqërimit me forcë ndaj Metës?
Ilir Meta e gjeti veten në pranga, pas disa vitesh nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Akuza të cilat kanë shoqëruar të gjithë rrugëtimin e tij politik. Këtë herë është ndryshe! Nuk janë dyshime të hedhura në formë akuzash politike, por dosje e mirëfilltë penale e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Meta, u ndoq nga forcat operacionale për disa kilometra, për tu ndalur në mes të rrugës shumë pranë kthesës së Kamzës. Një arrestim që për nga mënyra e ekzekutimit, ngjante me aksionet për prangosjen e personave me rrezikshmëri.
“Mënyra se si u ndalua një ish-kryeministër i vendit, një ish-president dhe një ish-kryetar Parlamenti, ish-ministër i jashtëm, apo një figurë publike si Ilir Meta është një mënyrë e paligjshme, por dhe e padinjitetshme”, u shpreh avokati, Artan Manushaqe.
‘Të vendosur nën presionin e dekonspirimit të operacioneve ata kanë vlerësuar që këtë ndërhyrje ta realizojnë duke zgjedhur një nga teknikat e tyre se si ndalohen subjektet, në këtë rast subjekti ishte Ilir Meta, duke përfituar nga trafiku, duke përdorur një automjet civil për ndërprerjen e qarkullimit dhe duke nxjerrë prej andej nga mjetet e policisë me targa, por jo targa policie, por sidomos ata ishin të veshur me jelekë që ishin të identifikuar si pjesë e policisë së shtetit”, u shpreh Anila Hoxha, gazetare.
Ndoshta, ky lloj aksioni mbarte mesazh dhe ish presidenti bëri rezistencë, duke pretenduar se efektivët me maska mund të ishin grabitës apo vrasës.
“Punonjësit e Policisë duhet të kishin badge, apo mjete identifikimi, qoftë te makina, qoftë te veshjet e tyre për të mos krijuar dhe konflikt sepse ka ndodhur që ka patur dhe grabitje me maskë, apo situata të tjera”, u shpreh avokati, Artan Manushaqe.
‘Forcat operacionale nuk veprojnë dhe nuk arrestojnë me agjentë të cilët identifikohet sepse ky është protokolli’, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.
‘Nuk kishte rrezikshmëri për t’u larguar nga vendi, apo të shfaqte elementë të tjerë të rrezikshmërisë shoqërore për të cilën policia e shtetit duhet të sillej në atë formë. Fat i madh që nuk ka qenë shoqëruesi i Gardës, pasi mund të krijohej një përplasje me armë’, u shpreh Anila Hoxha, gazetare.
AlbaniaWeb.net