“Kur ngecni në trafik, dilni nga mjeti”/ Adriana Matoshi ironizon deklaratën e Ramës
Deklarata e kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës për mënyrat sesi të kalohen minutat/orët e trafikut ka shkaktuar bujë në rrjet.
“Mundesh me dalë prej kerrit edhe me ecë… Mundesh me bisedu me dikë telefon, me planifiku diçka, me shfrytëzu mundësinë për të menduar diçka për vete”, tha ai, duke shtuar se nëse vonohesh në punë për shkak të trafikut nuk ke pse nervozohesh pasi nuk është në dorën tënde.
Gjithashtu, ai tregoi se ka ndodhur që ka mbetur me orë të tëra në trafik në Londër e në New York. Rama u kritikua nga qytetarët në rrjet, pasi nuk i ka dhënë zgjidhje këtij problemi.
E këtë deklaratë e ka ironizuar përmes një postimi, deputetja e VV-s dhe njëkohësisht aktorja e njohur, Adriana Matoshi.
“Siç na sugjeron kryetari ynë vizionar, në vend që të nervozohemi gjatë kolonave të përjetshme në Prishtinë, është momenti i përsosur për t’i dhënë vetes një diplomë të re! Çfarë na duhet të shkojmë në universitet me vite të tëra kur mund ta mbarojmë atë gjatë një udhëtimi prej Bregut të Diellit e deri tek Qafa? Në vetëm një javë Drini ka arritur të përfundojë studimet dhe tani po mendon të bëhet profesor gjatë ndalesave të semaforëve! Kështu që, për të gjithë ju që po prisni në kolonë, sot, merrni një libër. Bëni një doktoraturë… Ose ndoshta dy!”, shkroi deputetja në postimin e saj.