Sun, Nov 24, 2024

Polemika/ Neritan Ceka: Kritikët kanë privatizuar Albanologjinë, reagon Instituti i Arkeologjisë në ASA: Qëndrimet nacionaliste për konsum lokal, në dëm të çështjes kombëtare

  • PublishedJune 3, 2023

Duket se shkrirja e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe përfshirja e saj në Akademinë e Shkencave ka sjellë debate dhe përplasje në lobet akademike. Pas qëndrimit të akademikut dhe arkeologut të njohur Neritan Ceka se me këtë bashkim rregullohej një gabim që kishte ndodhur në vitin 2008 dhe se zërat kundër kanë privatizuar ASA-në, vjen një reagim nga ky institucion. Mes të tjerash Ceka nuk ka pa ironizuar dhe Institutin e Arkeologjisë, ndërsa tha se vetë drejtoresha e këtij institucioni nuk kishte bërë asnjë libër.

Instituti i Arkeologjisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike deklaroi se çdo qëndrim nacionalist apo folklorik për konsum lokal, dëmton çështjen kombëtare dhe na bën qesharakë në sytë e profesionistëve të vërtetë kombëtarë e ndërkombëtarë.

Në një reagim për akuzat ndaj ASA-s, ky Institut deklaron se kërkimi arkeologjik në Shqipëri i ka paraprirë krijimit të institucioneve nga ana e shtetit shqiptar dhe nuk i përket asnjë individi të së shkuarës, të së tashmes apo të së ardhmes, dhe si i tillë do të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht situatave politike që krijohen.

DEKLARATA E NERITAN CEKES
“Është një vendim që korrigjon një gabim ë bërë në vitin 2008, kur u shpërbë akademia e Shkencave që kishin edukatën vjenezë që ishte ky model. Ai përmbledh institutet e shkencave Fondamentale dhe që përpunon me perspektivë programet. Këto institute duhet të kishin kaluar pranë universitareve. Kjo nuk ndodhu. U grupuan të 4 institute dhe më pas kjo u shpërbë. Ne një institucion që quhet Akademia e Studimeve Albanologjie u trajtua si IAL. E ulën nivelin, nga Akademia e Shkencave, e ulën njësoj si një universitet. Njësi- është instituti, është term juridik. Në ligjin e Akademisë së Shkencave kemi sot 3 njësi kërkimore që janë të përkohshme. Nëse Akademia bën njësi afatgjate i bën Këshilli i Ministrave. Ndaj qeveria ia kthen prapë Akademisë, kjo po ndodh. Po e kthejmë në shtëpi Akademinë. S’po bëhet shpërbëjë e instituteve. në vend që të kenë një senat dhe kryesi, kjo kapele do të jetë më pak e politizuar. Kush është senati? E keni pyetur ju? Këta janë një grup studiuesish dhe zgjedhin njëri-tjetrin dhe iu pëlqen të jenë në këtë formë. Por ka interesa më të mëdha se sa personale, ato kombëtare. Këta që iu dhimbset, si dhimbset më shumë se sa unë. Ai institut është krijuar nga babai im. Emrin tim ka marrë instituti. S’mund të më akuzosh mua që të pranoj që të deformohet instituti. Sot gjërat funksionojnë me projekte. Kemi projektin e Apolonisë, të Finiqit.”, tha ai.

Pyetjes se kush do të vendosë që këtë projekt do të marrin studiuesit, Ceka tha se gjithçka do të operojë siç ka operuar në Akademinë e Studimeve Albanologjike.

“Ata që vendosin sot. Nuk do të shpërbehen atributet e tyre. Zhvendosen institute siç janë. Quhen njësi në termin juridik, por do të kenë të gjitha kompetencat që kanë sot. Buxhetin e marrin nga Kryeministria. Kontratat siç i kanë sot, do të vijnë atje. S’do të ndryshojë asgjë. Këto janë sajesa për të trembur punonjësit shkencor, për të bërë punime shkencore. Për t’i trembur për të ardhur atje. Unë do ju them një gjë që ata se thonë. Ata thonë se do të ndërpritet karriera shkencore, pra që duhet të jepnin 600 orë mësim. Po ku do t’i marrin orët këta? Këta nuk kanë mësim, apo studentë. Këta janë kërkues shkencor. Këta janë bërë për vete profesorë të asociuar se kanë miq në fakultet, dhe mësimet dhe orët që marrin i marrin nga Fakulteti. 30 vetë që kanë këta doktor, janë të bllokuar dhe nuk bëhen doktor të asociuar se s’kanë student. E kanë marrë një vend e kanë privatizuar, dhe ndaj s’ju pëlqen kalimi në Akademi. Ata nuk kanë shkruar libra. Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, çfarë libri ka bërë? Ka libër që ka bërë në emër të vetë?! I ka bllokuar atje. Miqësia e tyre me fakultetin e Histori-Filologji i ka bllokuar të tjerët.”, pohoi ai.

AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE
Këshilli shkencor i Institutit të Arkeologjisë – Akademia e Studimeve Albanologjike, pasi konstaton me keqardhje disa sulme në media ndaj punës së Institucionit dhe kërkuesve të tij, i mbledhur më dt. 31 maj 2023, shprehet unanimisht se: Kërkimi arkeologjik në Shqipëri i ka paraprirë krijimit të institucioneve nga ana e shtetit shqiptar dhe nuk i përket asnjë individi të së shkuarës, të së tashmes apo të së ardhmes, dhe si i tillë do të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht situatave politike që krijohen.

Kërkimet e Institutit të Arkeologjisë që mbulojnë pothuajse tërë territorin shqiptar dhe të gjitha periudhat historike, vetëm apo në bashkëpunim me universitete dhe qendra kërkimore të huaja, sipas modeleve dhe parimeve ndërkombëtare në arkeologji dhe larg subjektivizmave në shkencë, kanë sjellë rezultate të jashtëzakonshme të cilat e kanë bërë të njohur arkeologjinë shqiptare në rang ndërkombëtar, duke na bërë krenarë!
Ky Institut ka pasur dhe ka si parim pune lirinë akademike të secilit studiues. Duke gëzuar lirinë e fituar në kërkim shkencor, studiuesit e IA-së prej dekadash tashmë nuk e bazojnë aktivitietin e tyre mbi teza të paracaktuara dhe të imponuara, por mbi problematika të cilat studiohen dhe argumentohen. Ky Institut ka mbështetur lirinë e kërkimit shkencor në rezultatet e gërmimeve që vijnë nga terreni, duke iu shmangur populizmave politikë për efekte lokale apo interesa të momentit. Niveli i punës sonë ka qenë dhe mbetet profesionalizimi, i matshëm nëpërmjet konferencave dhe botimeve ndërkombëtare, platformat e vërteta të përballjes shkencore.

Niveli shkencor i antarëve të këtij institucioni është i dukshëm nga doktoraturat që janë mbrojtur në universitete ndërkombëtare, apo nga studime post-doktorale që fitohen mbi bazën e programeve konkurruese dhe meritokracisë dhe që vlerësohen nga kontributi i drejtpërdrejtë dhe jo nga subjektivizmat. Ky seriozitet ka bërë që arkeologët shqiptarë të ftohen e mirëpriten në evenimente profesionale në të gjitha shtetet perëndimore.
Çdo qëndrim nacionalist apo folklorik për konsum lokal, nuk bën gjë tjetër veçse e dëmton çështjen kombëtare dhe na bën qesharakë në sytë e profesionistëve të vërtetë kombëtarë e ndërkombëtarë. Janë pikërisht mendimet e këtyre profesionistëve që kanë rëndësi, për të imponuar qëndrimin kombëtar të arkeologjisë shqiptare dhe jo interesat e momentit.

Çdo sulm i kryer kundër këtij institucioni, me qëllim përfitimin personal nga individë me njërën këmbë në zanat ose jo, e me tjetrën në politikë, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për faktorizim individual. Institucionet shkencore maten vetëm me sasinë dhe cilësinë e kërkimeve dhe botimeve që realizojnë. Të mos harrojmë se kërkimi arkeologjik modern, ai i shekullit XXI është multi-disiplinar dhe punë në grup. Qasja e shekullit XIX nuk është dhe nuk do të jetë filozifia e punës sonë. Instituti i Arkeologjisë është aktualisht ndër të paktat institucione kërkimore shkencore shqiptare që bashkëpunon me shkollat më të mira kërkimore europiane, duke u respektuar ndërkombëtarisht për cilësinë e punës dhe rezultatet që ka arritur. Kërkimet tona kanë në qendër të vëmendjes zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve ku ndodhen, nëpërmjet përfitimit ekonomik, social e kulturor nga trashëgimia arkeologjike. Falë këtyre kërkimeve, në hartën e turizmit kulturor të vendit janë shtuar një sërë vendbanimesh, çka na nderon dhe motivon për të vijuar punën tonë me pasion dhe përgjegjshmëri.

Një vokacion i rëndësishëm ka qenë dhe mbetet kontributi ynë i drejtpërdrejtë në formimin e arkeologëve të rinj. Instituti i Arkeologjisë falë Shkollës së Doktoraturës dhe bashkëpunimit me universitetet perëndimore në kuadër të projektit Erasmus + ka përgatitur arkeologë dhe studiues të rinj me nivel bashkëkohor. Kjo armatë studiuesish drejtojnë projekte të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, Kosovë dhe Malin e Zi, duke luajtur një rol të rëndësishëm në trashëgiminë kulturore të vendeve të tyre. Për çdo shqetësim apo aspekt që nuk lidhet me probleme të kërkimit shkencor, shteti i së drejtës ka institucionet përkatese ku secili qytetar është i lirë të drejtohet.
Tiranë, më 31 maj 2023

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.