Njeriu më i fuqishëm i Gjeorgjisë fiton zgjedhjet, shuhen shpresat për integrim në BE?!
Njeriu më i fuqishëm i Gjeorgjisë fitoi zgjedhjet parlamentare të shtunën, sipas rezultateve të hershme zyrtare, një goditje për ata gjeorgjianë që shpresojnë për një integrim në Bashkimin Evropian.
Themeluesi i partisë Ëndrra Gjeorgjiane, miliarderi Bidzina Ivanishvili, opozita dhe diplomatët e huaj, i kishin cilësuar zgjedhjet si një moment vendimtar që do të vendoste nëse Gjeorgjia do t’i afrohej Perëndimit ose do të anonte përsëri drejt Rusisë, në mes të luftës në Ukrainë.
Rezultatet e hershme zyrtare me 70 për qind të zonave të numëruara, që përfaqësojnë shumicën e votave të hedhura, treguan se partia në pushtet kishte fituar 53 për qind të votave, tha Komisioni i Zgjedhjeve. Rezultatet nuk përfshijnë shumicën e votave të hedhura nga gjeorgjianët që jetojnë jashtë vendit.
Sondazhet e kryera menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit ofruan parashikime të ndryshme mbi rezultatin e zgjedhjeve. Sipas një sondazhi të kryer nga kanali televiziv ‘Imedi’ që mbështet Ëndrrën Gjeorgjiane, partia në pushtet ka fituar zgjedhjet duke siguruar 56 për qind të votave.
Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik. Rruga që të çon në aeroportin e Tbilisit mban emrin e ish-presidentit amerikan George W. Bush.
Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës, ndërsa retorika e Ëndrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse.
Ëndrra Gjeorgjiane ka nxitur zemërimin e aleatëve perëndimorë për atë që ata e konsiderojnë si prirjen e saj gjithnjë e më autoritare. Kryeministri hungarez Viktor Orban uroi Ëndrrën Gjeorgjiane për “fitoren e thellë”.
Ëndrra Gjeorgjiane bëri një fushatë të fortë për ta mbajtur Gjeorgjinë jashtë luftës në Ukrainë, me pamje të fushatës që krahasonin qytetet e pacenuara gjeorgjiane me ato të shkatërruara ukrainase.
AlbaniaWeb.net