Sat, Nov 23, 2024

Premier League/ Spektakël pa fitues, Arsenal-Liverpool feston vetëm…City

  • PublishedOctober 28, 2024

Përfundoi në barazim 2-2 ndeshja më e rëndësishme e Premier League për javën e 9. Një barazim që nuk ndihmon asnjërën prej skuadrave, për shkak se humbasin terren me kryesuesit e Manchester Cityt, që e shohin veten në vendin e parë +1 nga Liverpool dhe +5 nga “topçinjtë”.

Sfida ishte spektakolare ashtu siç pritej. Ishin vendasit që zhbllokuan shumë shpejtë shifrat, pas vetëm 9 minutash lojë, me Saka që mori një top nga e djathta dhe me një goditje potente në shtyllën e parë, i dhuroi avantazhin “topçinjve”. Avantazhi zgjati vetëm 9 minuta, pasi Van Dijk me kokë vendosi barazpeshën. Duhet të vinte fundi i pjesës së parë, që Arsenal të kalonte sërish në avantazh me Merinon që shënon me kokë, pas një goditje standarde për golin e 2-1.

Në pjesën e dytë Liverpool ishte skuadra që mori iniciativën , por goli i barazimit erdhi shumë vonë. Ishte minuta e 81 ku nga një kundërsulm, Darwin Nunez përfitoi dhe dha një top të artë  brenda zonës për egjiptianin Mo Salah, që nuk fali, duke barazuar shifrat dhe fiksuar rezultatin përfundimtar në 2-2.

Në përfundim të garës, Arteta u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës së tij, por theksoi se Arsenal e meritonte fitoren në këtë ndeshje: “Jam krenar për skuadrën time. Në pjesën e parë e dominuam lojën, më duhet të them se luajtëm shumë shumë mirë. Keqardhje që nuk mbrojtëm dot avantazhin në të dyja rastet”.

Ndërkohë në krahun tjetër holandezi Slot u duk i kënaqur me barazimin: Ishte shumë e rëndësishme të dilnim me pikë nga kjo ndeshje, përballë një skuadre tepër të fortë si Arsenal. Për më tepër vinim nga një transfertë në Champions dhe kishim një ditë përgatitje më pak se sa kundërshtari ynë, Më pëlqeu reagimi i skuadrës kur ishim në disavantazh.


AlbaniaWeb.net