Xhafaj pranon se do ndryshohet reforma në drejtësi dhe zbulon prapaskenat me refuzimin e institucioneve të pavarura: Do jenë pjesë e tryezës, mund të preket Kushtetuta
Kryetari i komisionit ad hoc antikorrupsion, Fatmir Xhafaj konfirmon se Reforma në Drejtësi e miratuar në vitin 2016 me konsensus të plotë, do të ndryshohet dhe lë të hapur në të njëjtën kohë edhe prekjen e ligjit themeltar të shtetit.
Por ai nuk e shikon si refuzim përgjigjen e institucioneve të pavarura, për të mos marrë pjesë me ekspertë gjatë diskutimit të reformës në drejtësi.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, ai tha se këto institucione ia kanë lënë pikërisht Kuvendit detyrën për ta bërë procesin.
Ai tha se Kuvendi do të konsultohet me institucionet e pavarura në momentin që do të hartohen draftet.
“Institucioneve të drejtësisë u thamë bëjeni ju procesin. Ata na thanë që duhet ta bëjë Kuvendi. Ata do të përfshihen në këtë proces me propozimet që kanë, me dokumentet e tyre. Ne kemi nisur shqyrtimin e raportimeve dhe debateve në seancë për të parë problematikat që kanë ngritur institucionet e drejtësisë. Ata do të jenë pjesë e tryezës së grupit të punës, por në momentin që drafti do të dalë, do të konsultohet me ta. Sistemi nuk janë drejtuesit, ata janë të përkohshëm. Do tu themi gjyqtarëve dhe prokurorëve, cilat janë qëndrimet qëndrimet tuaja”, u shpreh Xhafaj.
Kreu i komisionit të posaçëm tha se deri tani ekspertët nuk kanë propozuar ndryshime kushtetuese, por u shpreh i hapur gjatë kohës që të bëhet diskutimi.
“Sa shoh unë nuk ka të tilla, por konsultimi mund të nxjerrë nevojë për ndryshime. Nga drafti që është nuk shoh propozime për ndryshime kushtetuese. Shoh nevojën për ndryshime ligjore dhe institucionale. Ky është proces, mund të ketë propozime gjatë debatit, dhe mund të arrihet që të ketë edhe të tilla. S’ka kufizime edhe për një komision të posaçëm”, vijoi më tej Xhafaj.
Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se SPAK ka kërkuar ndryshimin e ligjit të tij organik.
“Sa i përket ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë nuk ka të tilla. Nëse do ta kërkojnë ata po. SPAK ka kërkuar vetë të ndryshojë ligji i tij për disa kërkesa që ata kanë. Vetë institucionet e drejtësisë kanë kërkuar 120 ndryshime”.
AlbaniaWeb.net