Fri, Nov 22, 2024

Spiropali kritikohet për përdorimin e Kuvendit si trampolinë për takime elektorale

  • PublishedOctober 29, 2024

E veshur me xhaketë të bardhë përkrah një ekrani me sfond të kuq, ku shquhej slogani “”, kryetarja e Kuvendit, nisi më 22 tetor nga Berati një fushatë takimesh, e prezantuar për publikun si një nismë për të afruar institucionin më të lartë të vendit me qytetarët.

Megjithatë, në tribunë përkrah Spiropalit u ul kryetari i Bashkisë së Beratit, , njëherazi drejtues politik i Partisë Socialiste për qarkun, ndërsa në sallë ishin të pranishëm deputetë të tjerë socialistë të qarkut.

I prezantuar si një aktivitet i Kuvendit të Shqipërisë, takimi u dominua gjithsesi nga qëndrimet dhe premtimet politike, të tilla si rritja e pensioneve apo ndihma për grupe të ndryshme të shoqërisë.

Kuvendi e përshkruan nismën si “një program i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë”, në kuadër të “Javës së Gjelbër”.

“Java e Gjelbër” është një mekanizëm i krijuar prej kohësh për të vendosur komunikimin e deputetëve me qytetarët – ajo parashikon një javë në muaj pushim nga aktivitetet parlamentare për t’u lënë hapësirë deputetëve që të takohen me qytetarët në zonat e tyre elektorale.

Ky mekanizëm nuk e ndalon kryetaren e Kuvendit në rolin e saj si deputete për takime në zonën zgjedhore përkatëse. Mregjithatë, përdorimi i këtij mekanizmi në cilësinë e kryetares së Kuvendit ka ngritur shqetësimin për keqpërdorim të institucionit dhe të burimeve publike në funksion të fushatës së ardshme elektorale.

“Nisma e fundit ‘KuvendOn’, ku kryetarja e Kuvendit shoqëruar nga deputetë të mazhorancës dhe nga zyrtarët lokalë, po ashtu të mazhorancës, përbën më shumë aktivitet elektoral politik sesa një aktivitet të Kuvendit,” i tha BIRN , drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.

“Nëse Kuvendi dëshiron të bëjë bisedime publike dhe transparente, së pari duhet të përmbushte detyrimet ligjore, që nuk i ka përmbushur, dhe standartet e transparencës, që nuk i ka përmbushur, përmes informimit publik dhe elementëve të tjerë ligjore,” shtoi ai.

Aktivistët e shoqërisë civile u shprehën kritikë edhe për nismën “Java e Gjelbër”, që sipas tyre nuk ofron mekanizma realë ndërveprimi mes ligjvënësve dhe qytetarëve, por shërben më së shumti si platformë politike.

Për Rigels Xhemollarin, drejtor ekzekutiv i “Qendresa Qytetare”, kryeparlamentarja Spiropali ka nisur qartazi fushatën elektorale në qarqet e vendit, duke “përdorur platformën e Kuvendit, resurset e Kuvendit dhe postin e Kryetares” në shkelje sipas tij të parashikimeve të Kodit Zgjedhor.

“Është e turpshme, e paligjshme, joetike dhe joserioze keqpërdorimi i postit më të lartë të Kuvendit të vihet në dispozicion të partisë dhe fushatës,” tha Xhemollari për BIRN.

“…Mesa duket, znj.Spiropali e ka të vështirë të ndahet nga posti i ministres apo aktivistes partiake, duke folur nga një kostum që Kushtetuta ia ka veshur për tjetër detyrë,” shtoi ai.

Spiropali u emërua në korrik të këtij viti në postin e Kryetares së Kuvendit, duke zëvendësuar Lindita Nikollën pas dorëheqjes së kësaj të fundit. Ajo ka marrë edhe më herët kritika për përdorimin e burimeve publike në shpërndarjen e takimeve të saj partiake në kanalet zyrtare të Kuvendit.

Spiropali dhe zyra e komunikimit e Kuvendit nuk iu përgjigjën kërkesës për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi. Ndërkohë, Kuvendi e trajtoi kërkesën për koment si kërkesë për të drejtë informimi.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kërkojnë kryeparlamentares Spiropali që të mos e përdorë Kuvendin si trampolinë për aktivitete partiake.

“Kuvendi duhet t’i kthehet rolit kushtetues, të përmbushë detyrimet e veta, të rregullojë mekanizmat e brendshëm dhe të heqë dorë nga praktika e keqpërdorimit të institucionit për qëllime elektorale,” përfundoi Krasniqi.