Vllaznia në telashe para “Klasikes”, Brdariç humb një titullar dhe duhet të ribëjë repartin
Dëmtimet janë kthyer në një problem të vazhdueshëm për Vllazninë në këtë sezon, duke detyruar trajnerin Brdariç që të ndryshojë ndeshje pas ndeshje rreshtimin e skuadrës së tij.
Mungesa e radhës për ekipin e tij është ajo e Milosh Stojanoviç, qendërmbrojtësit i cili ishte protagonist me golin e shënuar ndaj Partizanit. Për shkak të një problemi muskulor, lojtari nuk do të jetë gati për sfidën ndaj Tiranës, pasi ka munguar në stërvitje në dy ditët e fundit.
Kësisoj Brdariç duhet të rindërtojë mbrojtjen që ka shfaqur jo pak probleme në këtë sezon, siç e tregon fakti që ka pësuar 12 gola në 10 ndeshjet e luajtura deri tani, Alternativa e parë e Stojanoviç në teori do të ishte Bajrami, por paraqitjet e këtij të fundit kanë qenë larg pritshmërisë që kishte për futbollistin e afruar në verë.
Ndaj nuk është aspak çudi nëse tekniku gjerman gjen ndonjë zgjidhje tjetër duke ndryshuar modul, duke aktivizuar të riun Spahia që po pret mundësinë e vet pas kthimit nga dëmtimi i gjatë, apo spostimin e një mbrojtësi krahu në qendër.