Fri, Nov 22, 2024

Vendi i prehjes së mitropolitit arvanitas shndërrohet në vend pelegrinazhi në Berat

  • PublishedOctober 30, 2024

Rituali i lutjeve pranë Katedrales së Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit të Beratit, ka marrë një kuptim të ri për besimtarët ortodoksë që nga muaji Korrik.

Çdo klerik dhe besimtar ortodoks, gjatë shërbesave apo festave fetare, përpara se të hyjë në kishë për ritualin e lutjeve, ndalet në varrin e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Ignat, i cili ndërroi jetë më 20 Korrik në moshën 90-vjeçare dhe prehet në oborrin e kishës.

“Është bërë pjesë e përditshmërisë sonë nderimi i Hirësisë së tij Ignat; besojmë në shpirtin e tij dhe i lutemi ashtu siç i luteshim kur ishte gjallë,” tha për BIRN At Johan Qako, nga .

Imzot Ignati shërbeu si Mitropolit që nga viti 1998, vit në të cilin Kisha e Shenjtë i besoi postin, duke udhëhequr grigjën e Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë. Rindërtimi i besimit fetar pas një periudhe të gjatë ndalimi për besimtarët ortodoksë të Beratit u bë i shenjtë, dhe vendosja e Hirësisë Ignati në krye të Mitropolisë i lidhi jo vetëm besimtarët, por edhe qytetarët e Beratit, pavarësisht besimit të tyre.

“Hierarku i donte dhe qëndronte pranë beratasve në kohë të mira dhe të vështira, duke i lutur, këshilluar dhe ngushëlluar. Për këtë arsye, jo vetëm besimtarët ortodoksë, por edhe qytetarët e besimeve të tjera e donin dhe i luteshin, pasi ai ofronte mirësi dhe paqe, si një At shpirtëror,” kujtoi At Johani.

Imzot Igani kishte prejardhje arvanitase dhe lindi në Thivë të Greqisë më 8 nëntor 1934. Ai studioi në shkollën kishtare “Patmiadha,” Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës dhe Konservatorin e Pireut. E gjithë jeta e tij u karakterizua nga përkushtimi ndaj Kishës, duke shërbyer si predikues dhe mësues laik në Kryepiskopatin e Athinës.

Në vitin 1967 u hirotonis dhjakon dhe prift nga Mitropoliti i Thivës dhe Livadhiasë, Nikodhim, dhe shërbeu si famullitar në Kishën e Mitropolisë dhe si Epitrop Arkihieratik i Thivës nga viti 1967 deri më 1972. Në vitin 1992 u zgjodh për fronin e Mitropolisë së Beratit, u dorëzua episkop në vitin 1996 dhe u fronëzua në Berat më 1998 nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas.

Vendosja e një personaliteti të tillë në krye të Mitropolisë, siç ishte Ignati, burrë i paqtë e gjithmonë i buzëqeshur, që i përgjigjej gjithkujt me mirësi, bëri që besimtarët ortodoksë dhe qytetarët e besimeve të tjera ta donin dhe vlerësonin atë. Ai ndërroi jetë në Athinë pas një sëmundje të gjatë. Lipsani i tij u përcoll në Berat, ku u mbajtën shërbesat e Trisaisë për shpirtin e tij.

Vizitorë nduke nderuar në vendin e prehjes së Hirësi Ignati. Foto_E.Azizolli

Në Katedralen e Shën Dhimitrit u kryen shërbesat e shenjta, të cilat kulmuan me Liturgjinë Hyjnore në mesnatë. Mëngjesin e 23 korrikut vijuan shërbesat e shenjta, dhe rreth orës 11:30 nisi përcjellja e fundit, që sipas besimit quhet shërbesa e varrimit.

Në varrimin e episkopit mori pjesë i gjithë Sinodi i Shenjtë, kryesuar nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Pr. Dr. Anastas, i cili drejtoi këtë shërbesë, ku u bashkuan klerikë e besimtarë nga i gjithë vendi, si dhe qytetarë të çdo besimi nga Berati dhe rrethet përreth.

Ishte dëshira e Ignatit të prehej në qytetin e Beratit dhe në Katedralen e Shën Dhimitrit, ndaj besimtarët tani i luten me dashuri, duke besuar në shpirtin e tij dhe duke e kujtuar me përzemërsi.

“Çdo herë që vij në kishë, fillimisht kryej lutjet pranë varrit të Hirësisë dhe më pas ndjek shërbesat; dhe kur dal nga kisha, nuk largohem pa u ndalur sërish tek varri,” tha për BIRN , një besimtare ortodokse beratase. Ajo e kujton Hirësinë Ignati me lot në sy, duke besuar se mirësia që ai përcillte ka prekur çdo person që e njohu.

“Ai thoshte shpesh: nga nëna kam mësuar gjuhën e bukur shqipe dhe ndaj u lidh me beratasit në mënyrë të pazgjidhshme që nga ditët e para të ardhjes në Berat,” kujton besimtarja 78-vjeçare.

ishte në të 30-at kur u rihap besimi fetar në vend, dhe si pjesëtare e një familjeje me rrënjë të thella ortodokse, ajo u vetë-ofrua në Mitropoli për të dhënë mësim për të rinjtë. Duke ndjekur shërbesën e së dielës, ajo kujtoi për BIRN figurën e Hirësisë Ignati, i cili e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës për mirësinë që përcillte. “Ai solli urtësinë, dashurinë dhe bekimin për besimtarët ortodoksë, jo vetëm për mua,” tha ajo.

Hirësia Ignati kujtohet si një model i vullnetit dhe përkushtimit, si Mitropoliti që i priste të gjithë, dëgjonte këdo me përulje dhe lutej për të gjithë. Gjithmonë i pranishëm për orë të gjata si një At shpirtëror, në rrëfime dhe këshillime, ai lutej pa ndërprerje dhe gjithnjë kujdesej për të varfëritë, të sëmurët, dhe familjet në nevojë ekonomike e shpirtërore, duke u bërë mbështetje për ta.

“Vendi ku prehet ka një frekuentim të madh çdo ditë,” tha At Johani. “Vijnë për shkak të shenjtërisë që ai kishte në jetë dhe që vazhdon ta reflektojë edhe më shumë tani që ndërroi jetë,” shtoi At Johani.

Që në ditët e para të vendosjes në krye të Mitropolisë, Hirësia Ignati vendosi marrëdhënie të shkëlqyera me drejtuesit e Myftinisë së kohës dhe me drejtuesit vendorë të institucioneve, duke u pikasur jo vetëm si një Mitropolit i denjë, por edhe si një njeri që kërkonte dhe ofronte zgjidhje përtej çdo mundësie që i lejonte posti.

Mitropolia, nën drejtimin e tij, hapi dyert për mësime fetare dhe ngriti strukturat e grave ortodokse dhe të rinjve, ndërsa vetë Hirësia Ignati ishte gjithmonë aty për të pritur këdo që kishte nevojë. Me iniciativën e tij u hap mensa “Shën Joan Përdëllimtari”, e cila vazhdon të ushqejë persona në nevojë.

Për këto cilësi të shenjta, qytetarët e Beratit i propozuan Bashkisë që ta nderonte me titullin “Qytetar Nderi”. Po ashtu, në shkurt të vitit 2011, pas vendimit të marrë unanimisht nga Këshilli i Bashkisë së Selenicës, dhe me propozimin e më shumë se 200 qytetarëve, Hirësia Ignati u shpall “Qytetar Nderi” i Selenicës.

I dashur për të gjithë, Hirësia Ignati bashkoi besimtarët e çdo besimi gjatë gjithë viteve që shërbeu në Berat; ai vazhdon t’i bashkojë dhe në vendin ku prehet. , 78 vjeçe, e cila jeton prej vitesh me familjen në Itali, gjatë vizitës së saj të parë këtë vit në Berat, pas ndarjes së Ignatit nga jeta, vizitoi varrin e tij.

“Sapo mbërrita në qytetin tim, menjëherë erdha në kishë dhe vizitova Hirësinë Ignati, për të cilin kam sjellë posaçërisht një qiri nga Italia,” tha besimtarja ortodokse për BIRN. “Isha atje kur mësova lajmin e ndarjes së tij nga jeta dhe u trishtova pa masë,” shtoi ajo.

Me një përkushtim model, gjuhë të pastër shqipe dhe bukuri të trashëguar nga paraardhësit, Hirësia Ignati në çdo predikim përcillte mesazhe për virtyte të shenjta dhe dashuri. Pa u lodhur asnjëherë, pavarësisht viteve, ai takonte dhe përshëndeste çdokënd me fisnikëri dhe ndriçim hyjnor, pa pyetur për besimin e tyre.

Me një nostalgji të pashoq e përkujtoi Hirësinë Ignati, në drekën e shtruar për nder të tij ditën e përshpirtjes, Myftiu i parë i Beratit pas rikthimit të besimit, . “U takova me të para 20 viteve dhe ndjej fat që e kam njohur,” tha Durdia përpara qindra pjesëmarrësve.

Ai kujtoi Hirësinë Ignati si një njeri të shtrenjtë jo vetëm për besimtarët ortodoksë, por për gjithë qytetarët e Beratit, pavarësisht besimit. “Që në takimin e parë me të, zbulova butësinë, urtësinë, dashurinë dhe humanizmin që e shoqëronin, si dhe këmbënguljen dhe vullnetin që kishte,” u shpreh Durdia.

At Johan Qako duke kryer shërbesë në vendin e prehjes ë Hirësi Ignat. Foto_E.Azizolli

Si ish-Myfti i Beratit, ai kujtoi se me Hirësinë Ignati ndanin takime të frytshme në favor të bashkëjetesës fetare, e cila filloi të rilulëzojë në qytetin muze sapo u rikthye besimi. “Si dy homologë, si dy barinj shpirtëror të Beratit, ndamë dhe organizuam konsulta të veçanta dhe biseda mbi punën dhe veprimtarinë tonë,” kujtoi Durdia.

Të urtë, të dashur, të thjeshtë e të palodhur – kështu e cilësojnë të gjithë ata që e njohën Hirësinë Ignati, duke e konsideruar veten me fat që i kanë qëndruar pranë, qoftë edhe për pak çaste. Mes besimtarëve ortodoksë beratas, të rritur dhe të rinj, ka prej atyre që kanë të shënuar në jetën e tyre pagëzimin e kryer nga Hirësia Ignati, një akt i shenjtë për çdo besimtar.

, teolog pranë Kishës Ortodokse Shqiptare dhe mësues i Edukimit të Krishterë në Kishën e Shën Dhimitrit, ndihet me fat që është pagëzuar nga Hirësia Ignati. “Jo vetëm unë, por e gjithë familja ime kemi pasur fatin e madh të pagëzohemi nga Hirësia Ignati,” tha i riu, duke u lutur pranë vendit ku ai prehet. Si një besimtar i devotshëm, ai e cilëson Ignatin si “mishërimin e të gjithë mesazhit të krishterë dhe të Ungjillit në një person.”

Hirësia e tij, Ignati, ishte autor i disa librave në gjuhën shqipe dhe greke.

Ndarja nga jeta e Hirësisë Ignati përfaqëson humbjen e parë të një Mitropoliti pas ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.